Akademia e Policisë nuk është organizatë politike!
Ministri i Brendshëm, Sajmir Tahiri ligjëroi para të rinjve që fituan të drejtën për të vazhduar studimet në Akademinë e Sigurisë, duke folur fatkeqësisht për veten dhe për opozitën dhe jo për integritetin e policisë. Ministri përdori podiumin e një institucioni shtetëror për të bërë politikë, duke u treguar policiëve të ardhshëm se kush janë të mirët dhe kush të këqinjtë në këtë vend.
“Ligji ka shumë armiq në këtë vend. E Drejta ka shumë armiq në shoqëri e jo vetëm. Mjafton t’i hedhësh një sy të përditshmes për të kuptuar sa janë ata që nuk e duan Shqipërinë më të sigurt. Kush janë ata që nuk e duan Shqipërinë më të drejtë. Kush janë ata që nuk duan që Policia e Shtetit të bëjë rezultat. Kush janë ata që nuk e duan fare Policinë e Shtetit”- u tha ministri rekrutëve të policisë.
Nëse çdo ministër do të operonte me këtë logjikë atëherë edhe mjekët, arsimtarët, edhe gjithë të punësuarit në shtet, qeveria duhet t’i deklaronte si anëtarë të organizatës politikë që me sa thotë ministri përfaqëson të mirën në këtë vend. Do ishte e udhës që ministri t’ u kërkonte rekrutëve të rinj të mos ndjekin shembullin e Alban Trimit, shefit të krimeve në komisariatin numër 4 që fshehu provat në vrasjen e Elton Çiçës. Po ashtu do kishte vlerë nëse ministri do u kërkonte rekrutëve të mos nguronin të arrestonin trafikantë droge të mbrojtur politikisht si Kelmend Balili dhe jo t’u mbante leksion politik punonjësve të ardhshëm të policisë së Shtetit.
Duke bërë një paralelizëm me veten, ai ndau edhe këshilla me të rinjtë për të nënkuptuar pse ai po sulmohet nga opozita. “Cilido prej jush që do bëjë një apo shumë punë, cilido prej jush që do bëjë siç duhet punën për qytetarët, duhet ta dijë që sot që do jetë i sulmuar. Duhet ta dijë që sot që do jetë shënjestra e të gjithë atyre që nuk duan ligjin, e të gjithë atyre që nuk duan drejtësinë”-shtoi më tej Tahiri.
Në fund të fundit ministri në fjalë ka një bilanc të punës së deritanishme dhe vullnetit me të cilin ai ka luftuar krimin dhe trafiqet. Dhe pavarësisht se çfarë beson ai për veten, janë rekordet e policisë në raport me sigurinë dhe kriminalitetin që ngarkojnë ose jo me përgjegjësi politike atë dhe qeverinë ku ai bën pjesë.
Ai tha se beteja më e madhe nuk është me injorancën, nuk është me paaftësinë, nuk është me korrupsionin, nuk është me rezistencën që bënë paligjshmëria apo kriminaliteti. Sipas tij beteja më e madhe është me të shkuarën e cila “të gjitha këto përpiqet të na i nxjerrë para rruge për të penguar reformimin e Policisë së Shtetit dhe për të penguar secilin prej jush t’i shërbejë siç duhet qytetarëv”- deklaroi ministri.