Albspirit

Media/News/Publishing

Lea Ypi, historia e një prej pedagogeve shqiptare më të vlerësuara në botën akademike

Lea Ypi mund të konsiderohet padyshim si një nga shqiptaret më të vleresuara në botën akademike. Çdokush do të mahnitej po të shikonte listen e çmimeve me të cilat Lea është vlerësuar. Janë mbi 12 çmime me të cilat Lea Ypi është nderuar duke filluar nga Akedemia Britanike, London School of Economics, McGill University, Instituti per Studime Shkencore (WZB) ne Gjermani si dhe shumë institucione të tjera.

 Njohja e të paktën pesë gjuhëve të huaja e bënte atë të kishte një komunikim fantastik me studentët e saj. Nëse momentet e para, të qënurit pedagoge ne LSE tejçuan emocione të papërshkrueshme me vonë kjo do të ishte rutinë e punës saj. Është shumë e vështirë të gjendet një universitet prestigjioz cep më cep të globit ku Lea Ypi nuk ka marrë ftesë për leksione apo konferenca të ndryshme. Gjithsesi mbetet interesant fakti sesi ajo e ka përjetuar ndjenjën e marrjes së rrogës se parë në LSE.

Në auditoriumin e organizuar pak kohë më parë nga The Albanian, në bisedë me gazetarin Emanuel Bajra ajo u shpreh se:  “Ndjenja që përjetova kur mora rrogën e parë në LSE (London School of Economics), që erdhi pas një kontrate të vazhdueshme që teorikisht besohet që do më çojë deri në pension, ishte një ndjenjë çlirimi.

Ishte fundi i një skllavërimi ekonomik dhe ndjekjeve të pasioneve që ishin të përcaktuara nga ngushtësimet financiare”.

Ishte një ëndërr e bërë realitet. Tashmë shijonte privilegjin e të qënurit pedagoge në LSE, universiteti më i lakmueshëm dhe më prestigjioz në Londër. Ishte realizimi i një ëndrre për të cilën ajo kishte “luftuar” aq shumë.

Rrugëtimi i Leas drejt asaj karriere të suksesshme nisi që kur ajo ishte në Shqipëri. Kur mbaroi shkollën e mesme, vajza e re me plot ëndrra, Lea Ypi, në moshën 18 vjeçare kishte dëshirë që të vazhdonte studimet në degën e filozofisë, dhe për më tepër donte që universitetin ta kryente jashtë Shqipërisë.

Kur ua dha prindërve këtë lajm, reagimi i tyre nuk ishte më i miri i mundshëm sepse në Shqipëri sapo të thoshe fjalën “filozofi”, në mendjen e njerëzve vinin teoritë e “Marksizëm-Leninizmit”. Duke qenë se problemet ekonomike ishin të shumta në atë periudhë, për shoqërinë shqiptare, ishte meritë e saj që fitoi bursën dhe të drejtën e studimit për filozofi në Universitetin e Romës “La Sapienza”.

Gjatë periudhës së studimeve asaj iu desh të përballej me peripeci të ndryshme. Vështirësia e parë konsistonte në ato financiare dhe për këtë arsye asaj në mënyrë të vazhdueshme i duhej të aplikonte për bursa të ndryshme. Sikur të mos mjaftonte kjo “pengesë financiare”, problem i dytë që e shqetësonte atë në njëfarë mënyre ishte studimi i një dege shumë të vështirë si filozofia në një gjuhë të huaj dhe pa asnjë pregatitje nga gjimnazi.

Peripecitë që ajo ndeshi gjatë viteve të studimit i dhanë asaj më shumë kurajo për të vazhduar përpara që të luftonte për të jetuar ëndrrën e saj. Padyshim vullneti dhe puna e saj u shpërblye në vitin 2002 kur ajo u pajis me diplomë në filozofi nga Universiteti i Romës “La Sapienza”.

Ishte ky hapi i parë i saj drejt ngritjes në karrierë në fushën e filozofisë.

Pas përfundimit të shkollës së lartë, ajo vendosi që të vazhdonte studimet Master në të njëjtin universitet në degën Letërsi dhe Gazetari dhe pas përfundimit me sukses të studimeve master ajo filloi si hulumtuese pranë Departamentit të shkencave sociale dhe politike pranë “European University Institute” në Firence të Italisë, në vitin 2005.

Ishin të shumtë universitetet me të cilët ajo ka punuar pas përfundimit të ciklit të studimeve Master. Ndër to mund të përmendim:

  • Italian Institute of Historical Studies, Naples

Australian National University, Research School of Social Sciences.

Program Visitor in Political Theory, 2006, 2007.

  • Social Science Research Centre (WZB), Berlin, Germany

Visiting Researcher, 2007.

  • Stanford University and Wissenschaftskolleg zu Berlin (WIKO).

Fellow of the Summer Institutes for Advanced Study on ‘Citizenship and Migration’, 2007, 2008.

Lea bashkëpunoi me këto universitete dhe qendra kërkimi gjatë kohës që po punonte për të mbrojtur doktoraturën e saj pranë universitetit “European University Institute” në  Florencë të Italisë. Pas mbrojtjes me sukses të doktoraturës në vitin 2008, ajo vendosi t’i jepte një drejtim tjetër karrierës së saj. Kësaj here destinacioni i saj do ishte Mbretëria e Bashkuar. Kur ajo  mbërriti në Angli, ishte universiteti i Oxford-it, që i hapi dyert.

Më konkretisht, ishin dy kolegje nga ky Universitet “Nuffield College” dhe “Worcester College” vendet ku ajo u angazhua nga viti 2008 deri në vitin 2011.

Karriera e saj shënoi një pikë kulminante kur një nga universitetet më prestigjioz në Mbretërinë e Bashkuar siç është “London School of Economics” LSE, i bëri një ofertë që ajo nuk e refuzonte dot.

Ishte një ëndërr e bërë realitet tashmë. Ajo ishte pedagoge në një prej universiteteve më elitar në shtetin britanik. Padyshim arritja e qëllimit për tu bërë pjesë e stafit të LSE, ishte një nga kulminacionet në karrierën e saj.

Përveç LSE, që prej vitit 2011 ajo është gjithashtu pjesë e stafit të Australian National University dhe një nga drejtuesit e revistës shkencore The Journal of Political Philosophy, një nga më të njohura për studimin e filozofisë politike. Gjithashtu ajo është anëtare e bordit e disa nga revistave akademike më të famshme në botë.

Lea mund të konsiderohet padyshim si një nga shqiptaret më të vleresuara në botën akademike.

Çdokush do të mahnitej po të shikonte listën e botimeve shkencore dhe çmimeve me të cilat Lea është vlerësuar. Ajo është autore e disa librave, si per shembull Drejtësia botërore dhe politikat e avangardës dhe Çfarë është partishmëria (me Jonathan White) botuar nga Oxford University Press. Ypi ka bashkë-drejtuar botimin e Migracioni ne teorine politike  (Oxford University Press 2016) dhe Kanti dhe Kolonializmi (Oxford University Press 2015.

Ajo ka botuar mbi pesëdhjete artikuj në revistat më të rëndësishme shkencore dhe është ftuar për te mbajtur kumtesa në mbi njëqind universitete, duke përfshire  Oxford, Cambridge, Sorbonne, Harvard, Princeton, Stanford, Yale dhe Chicago. Punimet e saj janë përkthyer në disa gjuhë si Frengjisht, Italisht, Spanjisht, Gjermanisht dhe Kineze. Janë mbi 12 çmime me të cilat Lea Ypi është vlerësuar.

Së fundi, Akademia Angleze (British Academy) e vlerësoi me “Brian Barry Prize for Excellence in Political Science” (Çmimi Brian Barry për Shkëlqim në  Shkenca Politike) dhe botimi i saj “What’s Wrong with Colonialism” (Ku eshte gabimi i kolonializmit) u cilësua si një nga dhjetë artikujt filozofike më të mirë në botë të shkruar në vitet e fundit.

Përveç leksioneve të mbajtura në Harvard University, Cambridge University, Oxford University dhe universitete të tjera nëpër Europë apo SHBA ajo ka qënë e ftuar deri në kontinentet e Afrikës (Universiteti i Ganës), Azisë (në Kinë dhe Kore) dhe në Amerikë Latine (Meksikë dhe Argjentinë).

Janë mbi 100 shkrime të ndryshme që Lea ka bërë duke përfshirë këtu kapituj librash dhe artikuj të shumëllojshëm që trajtojnë tematika filozofike.

Përveç fushës politike dhe filozofike Lea Ypi ka lënë gjurmë të karrierës së saj dhe në media, shoqata jo qeveritare, si dhe në përkthim dhe interpretim. Këtu nuk mund të lëmë pa përmendur faktin që Lea është njohëse shumë e mirë e pesë gjuhëve të huaja Anglisht, Frëngjisht dhe Italisht (rrjedhshëm), si dhe Spanjisht dhe Gjermanisht (nivel i avancuar).

Nuk mund të kalonte pa e përmendur mbështetjen e madhe që Leas i kishte dhënë gjyshja e saj. Lea shprehet se ajo ka qenë personi që ka pasur ndikimin më të madh në edukimin dhe formimin profesional e njerëzor të saj. Ajo tregon se gjyshja i ka transmetuar shumë vlera, ndër të tjera ajo i ka thënë: “Njeriu nuk duhet të dorëzohet asnjëherë, sado vështirësi të takoje në jetë. Nuk duhet të dorëzohesh sepse forcën e ke brenda vetes, nuk e gjen as nuk ta jep njeri”.

Ajo me modesti tregon se gjithçka ka ardhur natyrshëm dhe nuk ka qënë qëllim në vetvete “rendja drejt suksesit”.

Ajo thekson se gjithmonë është përpjekur të bëje gjërat në të cilat besonte dhe gjithashtu ka ndjekur pasionet e saj pavarësisht vështirësive ekonomike apo sociale që mund të ketë ndeshur. Lea është një nga personalitet shqiptare në Angli që ka dhënë një kontribut të padiskutueshëm në fushën akademike, sociale dhe jo vetëm. Ajo na bën krenar të ndihemi shqiptar dhe shpresojmë që do të jenë të shumtë bashkatdhetarët tanë që do ndjekin rrugët e saj, sepse vetëm në këtë mënyrë imazhi i shqiptarëve në botë do të ndryshonte.

Petrit Kuçana & Marinela Nikolli

Please follow and like us: