Albspirit

Media/News/Publishing

Si ka mundësi Akademia e Shkencave të nxjerrë dokumente të tilla?!

Si ka mundësi Akademia e Shkencave të nxjerrë dokumente të tilla?!

Prof. Rami Memushaj

Kjo “Deklaratë për shtyp” është një dokument zyrtar i Akademisë së Shkencave të Shqipërisë, që kushdo mund ta lexojë në faqen e internetit www.akad.gov.al. Po e sjellim këtu origjinalin për të treguar se sa kujdes tregon për gjuhën institucioni më i rëndësishëm shkencor i vendit.

Në këtë dokument me 253 fjalë, janë bërë një numër i madh gabimesh gjuhësore. Kështu, në të shkruhet asamblea për asambleja, stututit për statutit,  numurin për numrin, hidroenergjitikëspër hidroenergjetikes; janë përdorur fjalë të huaja të panevojshme: web për internet, të aprovuara për të miratuara, konform për në përputhje/në pajtim, aprovoi për miratoi, prezencëpër prani, aprovim për miratim; janë edhe 10 gabime pikësimi e disa gabime grafike.

Veç kësaj, hartuesit e deklaratës kanë ngritur nga varri historianin Petraq Pepo (1903–1989) dhe e kanë bërë akademik, anëtar të komisionit të votimit!

E shkruar për së mbari, Deklarata do të ishte kështu:

Asambleja e Akademisë së Shkencave, e mbledhur sot, në datën 23 maj 2016, ora 12.00, në sallën “Aleks Buda”, sipas njoftimit të bërë më datën 25 prill 2016, të publikuar edhe në faqen e internetit www.akad.gov.al, për votimin e kandidaturave të paraqitura për titullin “akademik” sipas fushave dhe kritereve të miratuara prej saj, konstatoi:

  1. Mbledhja e zakonshme e asamblesë u zhvillua në përputhje me dispozitat ligjore në fuqi, në zbatim të ligjit nr. 9655, datë 11.12.2006, “Për Akademinë e Shkencave të Republikës së Shqipërisë”, të ndryshuar, neni 5 dhe 6; dhe të Statutit të saj, neni 3, pika 5, neni 6 dhe neni 9.
  2. Asambleja miratoi rendin e ditës.
  3. Në votim morën pjesë 32 nga 34 anëtarë të asamblesë së ASH-së.
  4. Votimi i fshehtë, numërimi i votave si dhe gjithë administrimi ligjor i procesit të votimit u zhvillua nën praninë dhe drejtimin e komisionit të votimit, të ngritur me miratim të asamblesë, i përbërë nga akademikët: Neki Frashëri – kryetar, Petraq Petro – anëtar dhe Jorgaq Kaçani – anëtar.
  5. Në përfundim të votimit të fshehtë dhe të numërimit të votave nga komisioni, nga 5 vende të hapura u zgjodhën 2 (dy) prej tyre. 3 (tre) vendet e tjera mbetën pa u plotësuar, pasi kandidatët në garë nuk arritën numrin e duhur të votave, sipas Statutit.
  6. Asambleja uron për zgjedhjen kolegët, akademikët Edi Pinguli në fushën e hidroenergjetikes dhe Marenglen Verlin në fushën e historisë, të cilët morën numrin e duhur të votave.

Asambleja e Akademisë së Shkencave

Tiranë, më 23 maj 2016

Akademia jonë e Shkencave, që duhet të jepte e para shembullin në zbatimin e normave të gjuhës standarde në gjithë dokumentacionin e saj, duket se është larg këtij objektivi. Para se të vijojë me këmbëngulje pjesëmarrjen në projektin për ndryshimin e drejtshkrimit, për një drejtshkrim ndërakademik, ajo duhet të zbatojë rregullat e drejtshkrimit të sotëm. Se faji nuk është i drejtshkrimit, po i kujdesit të munguar për zbatimin e tij.  Nënkuptohet që formuluesit e dokumenteve të Akademisë duhet të kenë një kulturë gjuhësore të përshtatshme për gradat e tyre dhe për institucionin, ku ka jo pak akademikë filologë.  Nëse nuk tregon kujdes për gjuhën shqipe Akademia, ç’mund të presim nga të tjerët?

 

Please follow and like us: