Sara Blloshmi: Feminisma dhe shqiptarja
Shpesh herë bëhet fjalë për feminismë. Në vendet e tjera kjo lëvizje merr një ngjyrë aktive, me pasion me seriozitet dhe gratë bëhenë luftëtare të vërteta, nga një herë duke dhanë shkak për manifestime që trubullojnë mendjen dhe qetësinë.
Po ç’është Feminisma?
Feminisma është përpiekja e gruasë për të shpëtuar nga kjo farë mituri në të cilët ndodhet sot: Burri, me qenë ma i fortë, ma luftar, e ka bërë gruan të konsiderohet si një krijesë gjysmë foshnjë pa një jetë independente.
Çdo akt i gruasë dependon prej burrit, sikundër një kalama dependon prej prindvet, prej atit të tij. Duke shkuar koha dhe gruaja është stërvitur të pranojë këtë konditë, të shikojë vetëhen e saj ma të dobët nga pikpamja shoqnore, t’i bindetë fatit që e ka bërë gjysmë shërbëtore dhe një farë skllafe.
Kjo bindje s’ka qenë kurdoherë pa protestimë dhe pa kryengritje: jo vetëm gruaja, po shumë herë edhe burratë vetë kanë parë padrejtësinë që bahetë gjysmës së njerëzisë dhe kanë studiuar çeshtjen edhe nga pikpamja morale, edhe nga ana shoqnore.
Si njerëzit edhe moralitet është një padrejtsi e madhe të lanët e gruasë (e memë, shoqe, motrës dhe bijës) në një gradë të poshtme të mos i japim lejë të shohë vetëhen e saj baras me “njerzinë”’ t’i miret lirija, t’i mohohetë rasja e gëzimit të së drejtavet.
Si çështje shoqnore situate e gruas është një problem me randësi ma të madhë, akoma se i përket zhvillimit intelektual dhe moral të botës me edukatën e fëmijës: duke lenë gruanë në një shkallë inferiore, duke ndaluar mendjen dhe karakterin e tyre të formohen, padyshim se edhe djemtë e ktyre grave nuk mund të arrijnë në shkallë të madhe të shvillimit intelektual dhe moral. Kondita e gruasë vepron mbi konditën e burrit dhe dëmton zhvillimin e tij.
Lëvizja femnore ka për qëllim të shërojnë këtë plagë, të gjejë një ilaç. Është një lëvizje, jo vetëm në interes të gruasë, po edhe në interes të përbashkët të përgjithshëm.
Është e vërtetë se feminism s’ka mjaftuar me kaq: pas të drejtave shoqnore, gruaja ka filluar të kërkojë edhe të drejta politike: të jetë zgjedhëse në votimet për këshilltarë dhe deputetë. Pastaj kërkuan të bëhenë deputete dhe ministra.
Sot në shumë parlamente ka deputete gra dhe të paktën në dy shtete të qytetruar ka edhe ministra.
Në qoftë se gruaja ka pasun nevojë për durim të gjatë dhe kohë që të fitojë të drejtat e saj shoqnore, shkaku i kësaj ka qenë se këto të drejta fitohen vetëm me zotsinë dhe përparimin intelektual, moral dhe kulturor të gruas. Me fjalë të tjera, duhet ma parë të jetë e mësuarë, të përpieket, të jetë e mençme, serioze. Vetëm atherë meriton të ketë një pozitë të ndershme dhe indipendente.
Shpëtimi pra i gruasë nga mituria lyp një perpjekje dhe një forcim të gjatë, të qetë, me vullnet të ngadalshëm, me këmbëngulje të përditshëm. Një kujdes të paheshtur dhe një seriozitet plot dinjitet.
Nga ana tjetër fitimi e të drejtavet politike ka ngjarë më ashpërsi dhe me zihje: shumë prej nesh mbajnë ment luftimet e suffragetavet në Angli dhe triumfin final të tyre.
Tani vjen fjala: A kemi nevojë në Shqipëri për të drejta politike femnore, a po vetëm te përpiqemi pët të lartsuar shkallën shoqnore të gruasë? Menjtonj se kujdesi ynë duhet të jetë pika e dytë dhe jo ajo e parë.
Kemi për shembull Francën, ku çështjet politike të gruasë kanë marrë një zhvillim fort të voglë dhe ku, përkundrazi, pyetjet kulturore kanë një rëndësi të madhe. Roli kryesor i shqiptares pa dyshim duhet të jetë qëndresuar në këto pika: shtëpija, shoqnia, shkolla dhe spitale.
Në kohë se në Shqypni s’kemi nevojë për feminizmë në kuptim politik, kjo s’do me thanë se detyra dhe barra që i takojnë gruas janë ma të lehta. Përkundrazi pjesa që na duhet të marrim në këtë popull e në këtë tokë asht ma e randë dhe ma e madhe.
Ma parë kena shpinë tonë, familjen tonë, kjo familje që na ka mbet prej stërgjyshërve tonë dhe që një ditë stërnipat tonë do të na kujtojnë. Mos harrojmë as një orë se neve na takon të krijojmë një atmosferë dashurije, respekti, disipline dhe mëshire në mbretërinë e vogël t’onën. Neve duhet të kujtojmë responsabilitetin e math që fati na ka shti në pëqi.
Kundrejt burrit dhe kalamanjvet tonë kemi detyrën dy fishe: t’a bëjmë rrethin e shtëpisë të kandëshmë dhe të përgatitim një lumturi të pritunit.
Jo vetëm shoqi i ynë të jetë i kënaqun nga shtëpia pra edhe t’a dojë këtë shtëpi po edhe gocat dhe djemtë tonë të marrin prej nesh famën e lumtunisë e kujtimin e mirsisë.
Nuku është mjaft pas kësaj të kemi fëmijë: lypset që kjo fëmijë e jonë prej trupit, zemrës dhe mendjes të jenë të shëndoshë, fatbardhë ashtu si na ashtë ngarkumun barra që të kujdesena për trupin, edhe ma tepër akoma duhet të gatojmë karakterin dhe moralin e tyne. Këtu vin pyetja: a munt t’a kqyrim si të kryme detyrën tonë pse i çojmë kalamajt në shkollë, apo duhet me i përgjumun e me i paas gjithmonë me kujdes?
Kur të dijmë se edukata që duron ashtu ajo që merret në shtëpi e në familje, atëherë përgjigjia jepet vetvetiu. Edhe ma parë se çdo sent ashtë shëmbëlla jonë, pasqyra dhe modeli që do të u japim ne vetë atyreve që janë më të vegjël.
Me vehten, familjen, fëmijën tonë krijohet shoqnia edhe sidemos kjo shoqni që e quajmë komb dhe Shqypni.
Të metat e shuma, nevojat jo ma të vogla, koha e kalume, na urdhërojnë që mbas këndaj të punojmë ma me zell dhe vullnet.
Shoqnia lyp bashkëpunimin dhe aktivitetin e të gjithve. Ashtu sikundër që shëndeti i një përsoni e lyp që do gjymtyrë, çdo pjesë e trupit të jetë e shëndoshë gjith ashtu edhe shoqnia e lyp që çdo person, çdo familje të ketë shëndetin e saj moral dhe fizik. Kësaj i thonë solidaritet. Një dhamp i vogël i një sahati të jetë thye, ay sahat nuk ecën. Me të mos ranë shin në bjeshkën e largët shkakton të bahet batall mullini. Që të jetë fatbardhë një zonj’ e madhe e një kombi, duhet që edhe ma e vogla e kujdeshavet ose e jevgavet të jetë e lumtun, të ketë shëndet trupor, edukatë, karakter, moral, konfort. Një plagë e vjetër në majë të gishtit të vogël na jep ethe dhe sëmundje. Gravet që kanë kohë, që dëshërojnë me ushtrue aktivitetin, vullnetin dhe inteligjencën e tyre u takon të ndjejnë veprimin e tyre edhe jashtë shtëpisë, në fqinjët në të njohurit e në të panjohurit.
Kur të kemi si pri’ dhamshurinë, kur të mbajmë para sysh ligjën e solidaritetit dhe të na vijë keq për çdo të metë, për çdo të keqe, atëherë do të gjejmë një rreth fort të gjanë për me zhvillue fuqinë tonë mirbarëse, të përpiqemi të jemi të dobishmë.
Sa kalamaj takojmë në rrugën tonë që shahen, që pijnë duhan! Sa goca dhe djem shofim që i kanë ethet, që kanë plagë të frye e në fytyrë! Sa jetim dhe jetime hasim që kanë nevojë për një fjalë t’ambël, për një buzë të qeshur! Do zgjatun një dorë e mëshirëshme solidariteti edhe gjith detyrat që i heth ky solidaritet mbi supet tona. Atëhere nuku do të themi: Qeveria ka bamun shkolla, ajo le të kujdeset për kalamajtë! Atëhere nuku do të thomi: Qeveria ka çel spitale, ajo le t’i mjekojë të sëmurët!
Në qoftëse kombin tonë e kqyrim si familjen tonë; ndë qoftë se jena bindun se në fat të zi e të bardhë ka një bashkim ndërmjet çdo gjymtyre, atëhere edhe shkolla edhe spitali kanë aq nevojë për punën dhe për mendjen tonë sa edhe shtëpija dhe familja e jonë.
———————–
Sara Blloshmi
Sara ka lindur në Stamboll, në vitin 1904. Ajo ishte fëmija i tretë i kolonelit Vehab bej Serdar, djalë i gjeneralit të famshëm Abdyl Kerim Pasha dhe i Mevedet H. Vlorës, vajzës së madhe të Ismail Qemalit. Pas shpalljes së pavarsisë, pasi kishte kaluar fëmijërinë në Stamboll, Sara u vendos bashkë me familjen në Francë e më pas në Shqipëri. Nga fotot që kanë ngelur, nga tregimet familjare e kujtime të ndryshme, Sara ka qenë një grua shumë e bukur dhe mjaft inteligjente.