Edi Rama: Përshëndes shkarkimin e gjithë zinxhirit të komandës policore në Elbasan
Kryeministri Edi Rama ka përshëndetur vendimin e Drejtorit të Policisë së Shtetit Haki Çako, për të shkarkuar të gjithë komandën policore në Elbasan. “Përshëndes shkarkimin e gjithë zinxhirit të komandës policore në Elbasan. Kush është përzier me çorbën e krimit, po edhe kush s’ka kurajo të përballet sy për sy e dhëmb për dhëmb me të, s’ka vend nën uniformën e dëshmorëve të Policisë së Shtetit. E turpshme përpjekja e Frontit të Çorbës së Vjetër për të baltosur Policinë e Shtetit për operacionin e suksesshëm mbrëmë në Vlorë, si pjesë e luftës ndaj rrjetit kriminal të heronjve të kazanit politik e mediatik të 48 orëve të fundit.
Policia e Shtetit po bën të gjithë gjërat e duhura dhe çdo drejtues e punonjës policie, duhet të vazhdojë të bëjë përditë këtë që po bën qysh prej nisjes së kësaj faze të re të luftës me krimin, pas pastrimit të Shqipërisë nga kanabisi.
Ta harrojnë e do të na ndalin dot në këtë luftë, të gjithë ata që vazhdojnë t’i marrin shqiptrët për budallenj dhe që synojnë bllokimin e rrugës sonë për Shqipërinë që duam – me shtet, punë, mirëqenie. Me mandatin e 25 qershorit, ne do t’i bëjmë jo vetëm rrjeteve kriminale, po edhe korrupsionit në tërësi, atë që asnjë nga këta që hidhen sot përpjetë në kazanin e politikës e të medias, s’ka guxuar as ta mendojë, në çerekshekullin rrumpallë e bashkëjetesë harmonike të pushtetit me llumin, ku ky vend mbeti pa shtet, pa ligj, pa drejtësi. Këtu jemi dhe do të shohim. Ditë për ditë”.