Reuters: Llazareviç, gjenerali serb që dëboi 700 mijë shqiptarë nga Kosova
Agjencia ndërkombëtare e lajmeve, Reuters, përkujton faktin se në vitin 2009, gjenerali serb Vlladimir Llazareviç është dënuar nga një gjykatë e Kombeve të Bashkuara për krime lufte dhe dëbimin me forcë të më shumë se 700 mijë shqiptarëve etnikë gjatë luftës së vitit 1998-99, përcjell Konica.al.
Ai ka qenë një nga ekzekutorët kryesorë të përpjekjes sistematike për zbrazjen e provincës së atëhershme serbe nga civilët shqiptarë dhe shkatërruar shtëpitë e tyre në kapitullin e fundit të rënies së Jugosllavisë.
Këtë javë, dy vite pas lirimit të tij nga burgu, 68-vjeçari serb ka gjetur një punë të re: ai do të jetë ligjërues i brezit të ri të ushtarëve serbë në Akademinë Ushtarake.
Zëvendëskryeministri i Kosovës, Enver Hoxhaj ka shprehur shqetësimin e thellë për glorifikimin sistematik që po u bëhet kriminelëve serbë nga ana e Serbisë.
Në një prononcim për këtë medium, ai ka thënë se Qeveria e Kosovës është tejet e shqetësuar me këto veprime, dhe se si kriminelët e luftës janë rehabilituar në pozita të lartë shtetërore, të sigurisë dhe të edukimit, përcjell Konica.al.
“Jemi tepër të shqetësuar nga glorifikimi sistematik dhe rehabilitimi që iu është bërë në institucionet më të larta kriminelëve të luftës nga ana e Serbisë”, ka deklaruar ai.
Hoxhaj ka shprehur shqetësimin edhe për atë që e ka quajtur ‘heshtje e bashkësisë ndërkombëtare nga shmangia që Serbia po i bën vlerave evropiane, demokracisë, sundimit të ligjit dhe drejtësisë ndërkombëtare”.
Edhe aktivistja për të drejtat e njeriut në Serbi, Natasha Kandiç ka thënë se mesazhi që vjen nga rehabilitimi i gjeneralëve serbë është tepër i rrezikshëm, është lojë me zjarrin, siç e ka quajtur ajo.
“Ky nuk është as rishikim historik, është paraqitje e krimit si një akt i rekomandueshëm”, ka thënë Kandiç, duke shtuar se kjo përbën fundin e çdo vizioni për integrim evropian, marrëdhënie të mira fqinjësore dhe bashkëpunim rajonal.
“Asnjëra nga këto nuk kanë kurrfarë kuptimi pas kësaj”, ka theksuar ajo.