Albspirit

Media/News/Publishing

 Dr. David Hosaflook: Tre thesare brenda librit të prof. Xhevat Lloshit

 

Fjala “thesar” përdoret aq shpesh për gjërat që as nuk janë shumë të rralla, as aq të shtrenjta, por prof. dr. Xhevat Lloshi, gjuhëtari i pashok, nuk i përzgjedh fjalët pa i menduar mirë, sidomos kur bëhet fjalë për titullin e një libri 650 faqëeh, që po e nxjerr në vitin e tij të tetëdhjetë, Thesaret e Shoqërisë Biblike, thesare që i ka gjetur dhe i ka përpunuar prej dekadash, në mënyrë që edhe ne të të mund ta shfrytëzojmë e shijojmë për dekadat që do të vijnë.

Ky libër është një thesar në disa pikëpamje. Materiali vetë është thesar – dorëshkrime e botime të vjetra, të zverdhura e të zbehura nga koha, dokumente që janë shpëtuar, në disa raste, në çaste kritike përpara se të humbnin përgjithmonë. Së dyti, përmbajtja e materialit është thesar për gjuhëtarë, historianë, sociologë, ballkanologë dhe, sidomos, për besimtarë të cilët e çmojnë Fjalën e Zotit. Këta do të mahniten me rrugëtimin e saj të vështirë drejt botimit në gjuhën shqipe, si dhe drejt përhapjes së gjerë në viset shqiptare, në një kohë kur nuk kishte libra të tjerë në shqip.

Sigurisht, ky material nuk na erdhi i gatshëm në shqip. U zbulua në gjuhë të ndryshme, kryesisht në anglisht. Shumica dërrmuese ishin dorëshkrime të shkruara në një kaligrafi që mezi deshifrohet. E kjo na çon te thesari tjetër – përgatitësi i materialit. Profesor Lloshi është ndër të paktët që mund të realizonte punën marramendëse të zbulimit, deshifrimit, traskriptimit dhe përkthimit, por aftësitë e tij nuk do të na vlenin fare nëse nuk do të vendoste ta bënte këtë punë prej dashurisë që ka për gjuhën shqipe dhe për studiuesit e rinj. Profesori na mëson çka mund të arrihet kur punojmë me disiplinë, ditë pas dite, javë pas jave, muaj pas muaji, vit pas viti.

Jam i bindur që askush, përveç profesor Lloshit, nuk e ka rrokur ende rëndësinë e këtij materiali. Si çdo kryevepër, vlera e tij e vërtetë do të kuptohet me kalimin e kohës. Ndaj me këta rreshta, guxoj ta falënderoj Profesorin në emër të mijëra shqiptarëve, shumica ende të palindur, që do të përfitojnë nga ky thesar.

 

Please follow and like us: