Mazhoranca voton kundër arrestimit të Tahirit
Ka përfunduar mbledhja me dyer të mbyllura e Këshillit të Mandateve, Rregullores dhe Imunitetit. Për afro 3 orë Këshilli shqyrtoi provat e organit të akuzës lidhur me Tahirin. Këshilli do të dalë me dy raporte për seancën plenare të së mërkurës. Mazhoranca i qëndron vendimit për të mos dhënë autorizim për arrestimin e Tahirit, duke kërkuar vetëm që të hetohet.
Në fund të kësaj mbledhjeje, Këshilli ka dalë me dy qëndrime të kundërta. Nga njëra anë mazhoranca kërkon kontroll personal dhe në banesën e Saimir Tahirit, ndërsa opozita i ka dhënë “ok” kërkesës së prokurorisë për heqjen e mandatit dhe arrestimin e ish-ministrit. Tashmë të dyja raportet do të dorëzohen në Parlament ku në seancën e ardhshme do të votohet për secilin.
Në një prononcim për mediat në përfundim të mbledhjes, deputeti socialist Ulsi Manja ka deklaruar se provat e prokurorisë janë të pamjaftueshme për të autorizuar arrestimin e Tahirit. “Ne e pranuam kërkesën e prokurorisë për kontrollin e banesës dhe personal të Tahirit, konform rregullave të Kodit të Procedurës Penale, që do të thotë se prokuroria është e lirë të vijojë me dinamikën e hetimit. Ndërsa lidhur me kërkesën për dhënien e autorizimit për arrestimin e Tahirit, ne si shumicë çmojmë se kërkesa e prokurorisë nuk mbështetej në prova, siç e kërkon Kushtetuta. Pra, prokuroria është e lirë që pasi të kemi një vendim në seancë plenare, të vazhdojë hetimet. Ne e garantojmë se do t’i japim mbështetjen e duhur për të arritur të vërtetën”, ka thënë Manja.
Ndërkohë, deputetët e opozitës mësohet se kanë votuar pro heqjes së imunitetit të ish-ministrit të Brendshëm, i akuzuar për përfshirje në trafik droge me grupin kriminal të Habilajve.