Tahiri merr vërtetim nga Prokuroria e Katanias: S’jam i ndjekur penalisht në Itali
Ish-ministri i Brendshëm Saimir Tahiri, i akuzuar për trafik droge, në një dalje për mediat mesditën e sotme, deklaroi se nuk dëshiron të përfshihet as në gjyqe politike dhe as gjyqe publik.
“Në qoftë se politikës i ka ardhur rasti që llumin e 25 viteve ta hedhë mbi mua për ata që kanë vrarë dhe kanë vjedhur, unë ju them rrini pa asnjë merak: unë do e përballoj edhe këtë”, u shpreh Saimir Tahiri.
Më tej shtoi se ndoshta kësaj radhe u ka dalë në shteg për të shfryrë ndaj tij mllefet e 25 viteve, por deklaroi se do përballoj gjithçka sido që të jetë.
“Por në qoftë se ka një shteg sado të vogël ku të dalë e vërteta, mua do më gjeni aty. Për mua sot ka rëndësi e vërteta dhe për të vërtetën jam gatii të paguaj gjithçka”, deklaroi Saimir Tahiri, i akuzuar si i përfshirë në trafikun e drogës drejt Italisë që zhvillohej nga grupi “Habilaj”.
Ai tregoi një dokument të prokurorisë së Katanias në Itali, duke thënë se në të thuhet nuk ka nisur asnjë procedim penal ndaj tij.
“Prokuroria e Katanias nuk ka gjetur asnjë herë një lidhje të vetme me mua për të nisur një procedim ndaj meje. Si ka mundësi që prokuroria jonë, që brenda 48 orëve kërkoi arrestimin tim. Në ato përgjime flitet për një Saimir që ka kamion dhe merret me thasë drogë, pra nuk mund të jem unë edhe bosi edhe shoferi edhe hamalli i drogës”, u shpreh ish-ministri.
Ai shtoi se dokumentin e gjeti në 48 orë, duke hedhur dyshime se si nuk e gjeti Prokuroria e Krimeve të Rënda në gjithë këto vite.