Gjermanët mahniten nga Shqipëria, 50 % më shumë vizitorë këtë vit
Turistët gjermanë që vizituan Shqipërinë këtë vit deri në fund të muajit Shtator sipas INSTAT ishin gati 102 mijë.
Edhe pse për nga kombësia e turistëve, Gjermania renditet vetëm e 8-ta pas vendeve të rajonit, Italisë, Anglisë dhe Polonisë, përsëri ky numër është shumë i rëndësishëm për turizmin në vend.
Burimi: INSTAT
Krahasuar me 9 muajt e parë të vitit të kaluar, hyrjet e shtetasve gjermanë u rritën me 50.5%, një tregues që premton shtimin e vizitave vit pas viti, por edhe një interesim të befasishëm për Shqipërinë. Por si u zgjua ky interes?
Një problem i madh për industrinë e turizmit është mospërfaqësimi i ofertës shqiptare nga ana e tur operatorëve gjermanë. Pavarësisht pjesëmarrjes në disa panaire turistike në këtë shtet, çka ka qenë një nga strategjitë kryesore për thithjen e këtyre turistëve, dhe ndonjë artikulli në media lokale, Shqipëria nuk duket asgjëkundi në katalogët gjermanë të pushimeve.
TUI, i cili është tur operatori më i madh në Gjermani me 18,3% të tregut, nuk e përfshin vendin tonë si destinacion. Shqipëria nuk gjendet as tek operatori i dytë, Thomas Cook, i cili zë 11.6% të tregut. Në Ballkanin Perëndimor, paketat përfshijnë vetëm Kroacinë, Malin e Zi dhe Serbinë.
Duke llogaritur se gjermanët po prenotojnë gjithmonë e më tepër për pushime përmes agjencive turistike, do të ishte kritike përfshirja e destinacioneve shqiptare në këto katalogë. Pikërisht tur operatorët e huaj janë një nga arsyet kryesore për shtimin e numrit të vizitorëve polakë, të cilët përfitojnë nga ofertat për t’u akomoduar në hotelet e Durrësit, Sarandës, apo Shëngjinit.
Por me një rritje prej 50.5% të hyrjeve të reja, duket se kjo nevojë u anashkalua dhe në Shqipëri hynë 34 mijë gjermanë më shumë.
Krahas tur operatorëve më të vegjël dhe dy linjave direkte me Frankfurtin e Mynihun në sezonin veror, një ndikim në rritje e ka dhënë edhe shtimi i strukturave akomoduese shqiptare në platformat si Booking apo AirBNB.
Megjithatë meritën për kontributin më të madh e ka “fama” që vendi ynë i ka dhënë vetes, duke qenë një destinacion i lirë. Vendi ynë e fitoi shpejt statusin e destinacionit për t’u zbuluar këtë verë dhe ata që erdhën për të kaluar pushimet këtu, u kthyen në shtëpi duke treguar eksperiencat e tyre.
Gjatë fundit të korrikut dhe muajit Gusht, në mediat gjermane, forumet, rrjetet sociale dhe televizionet pati një vërshim artikujsh në formë eksperiencash me arsyet për të vizituar Shqipërinë dhe se si ishin zhdukur paragjykimet për këtë vend. Kjo mbajti konstant interesin për vendin tonë dhe zhvendosi pyetjet e gjermanëve në motorët e kërkimit nga rezultatet e kombëtares shqiptare, tek vizita dhe qëndrimi në Shqipëri. Një shembull i mirë është seria e dedikuar nga emisioni Galileo.
Plazhet shqiptare, mikpritja, ushqimi dhe bukuritë e natyrës janë shndërruar në një sekret që të gjithë e dinë tashmë në Gjermani dhe kjo pritet të ketë efekt në vitet në vijim. Kjo do të thotë shumë për turizmin shqiptar duke konsideruar se janë kombi që shpenzojnë më shumë për pushime në botë./scan/