Çapajev Gjokutaj: Rroftë e qoftë politika!
Tahiri ka bërë trafik narkotikësh në bashkëpunim me klanin e Habilajve, thotë njera palë.
Nuk ka prova që Tahiri të jetë përfshirë në veprimtarinë e këtij grupi kriminal, thotë pala tjetër.
Publiku i paanshëm kupton se Tahiri ka shitur makinën private, por në letra ajo ka vazhduar të mbetet pronë e tij. Madje katër herë ka udhëtuar me makinën që de facto s’ishte e tij. Goxha shkelje për një politikan të sërës së tij.
Mendja ta do se Habilajt nuk e kanë lenë t’u ikij nga duart ky rast i artë. Me makinën, që në letra figuronte si e ministrit te rendit, mund të kenë zgjidhur shumë halle trafiku. Cili polic do kuturiste ta ndalonte, pa le më ta kontrollonte këtë makinë?
Ky ngjan të jetë skenari më i favorshëm për Tahirin. Në rastin më të mirë ish ministri rezulton të ketë ndihmuar pa dashje veprimtarinë e një grupi kriminal. Pjesë nga përgjimet e prokurorisë italiane të shtyjnë të dyshosh për më keq. Por gjithçka mbetet në rrafshin e supozimit.
Me supozime mund të bëhet politikë. Drejtësisë nuk i mjaftojnë dyshimet, mund të veprojë vetëm me fakte, me prova. Eshtë kjo arsyeja pse prokuroria italiane i gjurmoi katër vjet Habilajt dhe, pavarësisht se kishte inçizuar mjaft pjesë ku trafikantët flisnin me njeri-tjetrin për aktet e tyre kriminale, i arrestoi vetëm kur i gjeti në flagrancë, me disa ton drogë.
Rrugë të kundërt ndoqi prokuroria jonë. Vetëm 48 orë pas hapjes së çështjes penale kundër Tahirit, nxitoi të kërkonte lejen e arrestimit në parlament. Me sa di publiku deri tani, mbështetej vetëm në të thëna të dosjes italiane. Madje pa arritur ta lexonte e ta vilte tërësisht as këtë.
Nxitimi në këtë rast dëshmon ose mungesë profesionizmi, ose përdorje nga politika, ose përpjekje për të zgjidhur halle, që lidhen me imazhin dhe me karierën e titullarëve të prokurorisë.
Të gjitha këto mund të diskutohen. E padiskutueshme mbetet se amatorizma të tilla kanë kosto të rëndë sociale: shtojnë sasinë e skandaleve të përfolura por të pandëshkuara. Bashkë me sasinë e skandaleve të pandëshkuara rrisin skepticizmin publik, vrasin shpresën se ky vend mund të bëhet.
Rroftë e qoftë politika!