Albspirit

Media/News/Publishing

Tahiri te Krimet e Rënda, prokurorët marrin në pyetje ish-ministrin

Pas një ftese të dërguar në zyrën e avokatëve të tij, Saimir Tahiri u paraqit në Prokurorinë e Krimeve të Rënda ashtu siç të martën i shprehu gatishmërinë organit të akuzës me një memo publike. Në hyrje dha vetëm një shtrëngim duarsh me efektivin e policisë së gjykatës.

Pas tij, kapërcyen pragun e godinës së qelqtë të drejtësisë edhe dy mbrojtësit, Artan Hajdari dhe Maks Haxhia. Përgjatë më tepër se dy orëve përballë prokurorëve, ish-ministri i Brendshëm, Saimir Tahiri ka dhënë shpjegime si person nën hetim për dyshimet që bien mbi të,ato të korrupsionit dhe çështjeve të drogës. I ulur për herë të parë në karrigen e Prokurorisë për dosjen “Habilaj”, Saimir Tahiri nuk u kursye të japë një falenderim për prokurorët.

“Dua të falenderoj prokurorët që morën parasysh kërkesën time për të pasur një hetim sa më të shpejtë në kohë, sa më të gjithanshëm dhe sa më objektiv. Me kërkesën time u paraqita për të dhënë shpjegimet e mia dhe për të shprehur gatishmërinë sot dhe kurdoherë, deri në fund me çdo mjet timin dhe disponibilitetin tim personal për t’iu përgjigjur çdo kërkesë të Prokurorisë”, u shpreh Tahiri.
Por ai u tregua i mbyllur mbi pyetjet qe prokuroret i drejtuan gjate dy orëve e gjysmë sepse kjo është një betejë e tij me drejtësinë.

“Unë nuk kam ndërmend ta bëj betejën time për drejtësi para jush apo akoma më keq ta kthej në një histori debati politik. Unë them që debati politik lidhur me këtë histori duhet të mbyllet, unë betejën time e kam para drejtësisë dhe shqiptarëve. Të jeni të bindur se unë jam tërësisht i disponueshëm për t’iu përgjigjur çdo pyetje. Do përpiqem gjithçka jam dhe me gjithçka kam për ti shkuar deri në fund të drejtës sime dhe të vërtetës sime”, tha ish-ministri i Brendshëm.

Please follow and like us: