Albspirit

Media/News/Publishing

Blendi Fevziu: Përse u largua Visho Ajazi?

Visho Ajazi, shefi i Shërbimit Informativ Shqiptar, ose siç njihet rëndom, shërbimi sekret, ka dhënë sot dorëheqjen. Dorëheqja, edhe pse burime mediatike thonë që është vendosur të premten, ka qenë e papritur.

Ka qenë e papritur për Presidentin Meta, për krerët e partive opozitare Basha e Kryemadhi dhe po ashtu për ish Kryeministrin Berisha që e emëroi Vishën në atë pozicion 5 vjet më parë. Nuk dihet nëse Rama ka pasur dijeni për dorëheqjen, por mënyra se si ai vijoi me propozimin e ri brenda më pak se 30 minutash të bën të besosh që ai ka qenë në mos i njoftuar, së paku i informuar për lëvizjen befasuese.

Po përse Visha dha dorëheqjen tani dhe përse dorëheqja e tij konsiderohet e papritur?

E para, Visha nuk kërcënohej nga një mandat i limituar dhe nuk përballej me sfidën e rizgjedhjes. Shefi i Shërbimit Sekret mund të qëndronte në detyrë sa kohë të donte. Ai mund të largohej prej andej ose me dëshirën e tij, ose nëse Presidenti dhe Kryeministri dakordoheshin për largimin. Siç ka ndodhur me paraardhësit e tij më 1997, 2002 dhe 2012. Sipas të gjitha informacioneve, Ajazi kishte besimin e Presidentit Meta dhe largimi i tij nga Rama vështirë se do të ndodhte. Pra ai nuk ndihej i kërcënuar, por i garantuar.

E dyta, në klimën e javëve të fundit kur beteja kundër Kanabisit dhe bandave të tij duket se po bëhet emergjente dhe po e pranojnë të gjithë, Visho Ajazi duhej të ishte më kryelarti. Shërbimi informativ ishte i pari që kishte ngritur alarmin për kanabisin. Ai kishte hartuar zyrtarisht një raport për implikimin e oficerëve të policisë në trafikun e narkotikëve. Një raport i cili u bë bazë për nisjen e një çështjeje penale nga Prokuroria ndaj drejtuesve të policisë në qarqe.

Çështja është që largimi i Ajazit prish balancat në institucionet ligjvënëse. Rama ka dërguar emrin e zëvendësit të Ajazit dhe kjo kuptohet përse. E para ai mund të jetë më i pranueshëm për Presidentin Meta që duhet të konfirmojë propozimin dhe e dyta ai është më garant për shërbimet partnere, sidomos Amerikanët, sepse ka punuar për 21 vjet në SHISH.

Por largimi i Ajazit, së bashku me largimin e Lallës që i mbaron mandati në Dhjetor, vënë nën kontrollin e qeverisë, dy institucione që ishin jetike për kontrollin e abuzimeve të saj. Ndaj pikëpyetja se përse u dorëhoq Ajazi do vijojë ende për shumë kohë, ndoshta pa marrë kurrë atë përgjigje që e mendojnë të gjithë…

Please follow and like us: