Albspirit

Media/News/Publishing

Pëllumb Kulla: Mbetsh i paharruar, mësuesi im!

U shua Mihal Luarasi, një ikonë tjetër e teatrit kombëtar

 

Ne, nxënësit e tij të hershëm të Shkollës së Lartë Teatrore “Aleksandër Mojsiu” – dhe këtu vetautorizohem të shpreh edhe mendimin e shokëve të mij – do t’i jemi përjetë mirënjohës Luarasit për njohuritë, me të cilat na paisi ai, për mësimet mbi aktrimin, të folurin e pastër dhe regjisurën.

Në praktikën e jetës dihet që roli i mësuesit në formimin e karaktereve në shtytjen drejt dijeve, në injektimin e frymëzimit tek nxënësit është jashtëzakonisht i madh dhe i rëndësishëm. Dhe kjo meritë i atribuohet çdo mësuesi e çdo pedagogu. Por ai rol bëhet edhe më i madh, kur vetë pedagogu është i madh.

Mihal Luarasi na mahniste me elegancën e tij, me kulturën e tij të thellë, me gojëtarinë e shkëlqyer dhe me zotësinë e argumentimit. Gjuha shqipe na dukej dhjetë herë më e bukur kur me të merrej zoti Luarasi, në lëndën e Të Folurit Skenik. Në atë lëndë që pikërisht falë pedagogut, na u bë e dashur, njërin nga instrumentet bazë të veprimit aktorial, gjuhën, ai e trajtonte jo vetëm në përkujdesjen e shqiptimit, jo vetëm në kontrollin e frymëmarrjes për të administruar forcën, apo pëshpëritjen e saj, por dhe drejtshqiptimin e saktë dhe të normuar, që shumë regjisorë e linin pas dore.
Mihal Luarasi la gjurmë të thella edhe në një dorë nxënësish nga ne, që më pas ushtruam regjinë skenike dhe televizive. Ne ndoqëm me shumë vëmendje punën e tij tërheqëse në një nga spektaklet e tij të para me dramën e Figuereidos “Dhelpra dhe Rrushtë”. Dhe e ndoqëm që nga këmbëngulja për të afruar aktorë të kalibrit të madh. Kadri Roshi dhe Margarita Xhepa ma do mendja se me atë vepër të hershme shënojnë dy kryerolet e tyre që i lozën me një pasion të paparë deri atëherë mbi atë skenë.

Një shkollë brenda shkollës ishte për ne dhe regjia e dramës së Pavel Kohoutit “Një Dashuri e Tillë” që ky regjisor i madh e realizoi me studentët e kursit tonë, por që shënoi një nga spektaklet më të bukur të historisë të shkollës dhe bile edhe të repertorit të shfaqjeve të atij sezoni të Teatrit Popullor. Ne patëm rast aty të shikonim edhe njëherë gjahtarin e pakrahasueshëm në gjuetinë e veprave letrare skenike. Ky “gjahtar” që në skenën kombëtare debutoi me kryeveprën e Shilerit “Intrigë dhe Dashuri”, gjuajti në shenjë edhe në fushën e dramaturgjisë kombëtare me drama të vlerta ku bëjnë pjesë dhe ato që shkroi vetë. Veçojmë “Njollat e Murrme” të Minush Jeros dhe “Moshën e Bardhë” të Dritëro Agollit, drama të letërsisë që idhullit tonë i sollën dhe dramat e jetës së tij personale, të cilat nuk ia lehtësonin dot krenaria dhe dashuria jonë, as edhe ndjesia e përgjithëshme se në teatrin brenda kufijve hermetikë të Shqipërisë, Mihal Luarasi më shumë nga kushdo, na pat sjellë përfytyrimin e modernes.

Ishim fatlumë me trupën pedagogjike që na udhëhoqi për katër vjet të tërë drejt portave të skenave dhe studiove, dhe kam mendimin se pak grupe të Shkollës së Lartë Teatrore i kanë dhënë jetës skenike aq shumë talente njëherësh, sa i dha kursi ynë i katër viteve 1960-1964. Talente si Robert Ndrenika, Viktor Zhusti, Vladimir Prifti, Ali Bega, Bukuroshe Kokalari, Shpëtim Shemili,, i përmend duke u munduar të cek majat, pa nënvleftësuar aspak që të gjithë shoqet dhe shokët e mrekullueshëm të kursit që bënë emër në të gjithë teatrot profesionistë të vendit. Dhe meritë e madhe për këtë “bollëk” të një laboratori të vetëm artistik, e them pa lëkundje, shkon drejt mësuesit të mirë, Mihal Luarasit.
Në një ditë fort të trishtë si kjo, ndërgjegjësohemi për meritat e këtij mësuesi të palodhur e këtij korifeu jetëgjatë të regjisurës, këtij teatrologu të spikatur, në pasurimin e dijeve tona, për kthjellësinë e pa zbehur që ai rrezatoi, dhe meditojmë mbi fashën e viteve që jetoi ai, me sukseset dhe kalvarin e pashmangshëm të atyre kohërave.
Të ndrittë shpirti artist i madh, profesor i vyer, dhe mos u shofshin kurrë kujtimet që na le.

Prehu në paqë, mësuesi im!

Please follow and like us: