Prokuroria, urdhër-ndalimi në Britani për komandot e arratisur
Pas dezertimit të katër komandove shqiptarë që po kryenin trajnim ushtarak në një bazë në Angli, Prokuroria e Tiranës u dërgoi homologëve në Britani urdhër-ndalimi për ta. Katër komandot akuzohen për “Mosparaqitje në repart” ose dezertim. Hetimet kanë nisur nga seksioni ushtarak në prokurorinë e kryeqytetit.
Emrat e katër ushtarëve shqiptarë që dezertuan në Londër janë Reni Ajazi, Ylber Tokrri, Aleksandër Shkulaku dhe Klevis Lamkaj.
Dyshohet se ata kanë shkuar te një i afërm që ka biznes në Londër për tu punësuar aty. Kallëzimi ishte depozituar nga Policia Ushtarake, që është në varësi të Ministrisë së Mbrojtjes.
Prokuroria thotë se nga fillimi i tetorit deri në mesin e nëntorit 2017 janë depozituar nga policia ushtarake 16 kallëzime penale për efektivë të ushtrisë që kanë vendosur të thyejnë betimin dhe të mos paraqiten në repart.