“Bajlozët” që përmbytën autostradën
Nuk ka asnjë dyshim se përmbytja e një segmenti të autostradës Tiranë-Durrës, duke shkaktuar dëme të mëdha në bizneset, banesat, makinat dhe gjithçka tjetër përreth, është vepër e korrupsionit, marrëzisë dhe makutërisë e disa funksionarëve dhe ish-funksionarëve shtetëror, me anë të projektit korruptiv të vendosjes së palmave të famshme gjatë këtij aksi. Jo rastësisht pjesa e përmbytur përkon me pjesën e ndërhyrjes korruptive të disa organeve shtetëror, në vitin 2014, ku u realizua projekti i gjelbërimit të aksit Tiranë-Kashar-Rinas.
Në kohën kur këto institucione kishin një projekt për zgjerimin e autostradës, shpenzuan 600 mijë euro për gjelbërimin e përkohshëm të aksit, sigurisht për të vjedhur një pjesë të parave. Zbatimi i projektit, në mënyrë korruptive dhe të papërgjegjshme, bëri dy ndërhyrje në autostradë, të cilat sollën përmbytjen. Projekti ngushtoi kanalet kulluese si dhe mbylli çdo hapësirë në trafikndarësen, duke bllokuar kalimin e ujit nga njëra anë në anën tjetër të autostradës. Ngushtimi dhe bllokimi i kanaleve kulluese ka qenë përcaktuese në përmbytjen e autostradës dhe të zonës përreth.
Po kush janë arkitektët e palmave të famshme?!
Ky projekt është zbatuar në bashkëpunim nga Fondi Shqiptar i Zhvillimit, Ministria e Mjedisit dhe Autoriteti Rrugor Shqiptar.
Fondi Shqiptar i Zhvillimit u bë pjesë e këtij projekti. Ministria e Mjedisit e financoi. Autoriteti Rrugor Shqiptar dha miratimin. Kreu i ARRSH ishte Dashamir Xhika, përfaqësues i Lëvizjes Socialiste për Integrim, i kallëzuar edhe në prokurori nga Kontrolli i Lartë i Shtetit. Ministër i Mjedisit ishte Lefter Koka, përfaqësues i LSI. Drejtor i Fondit Shqiptar të Zhvillimit, Benet Beci, njeri i të gjitha pushteteve, kandidat për deputet i Partisë Demokratike, por menjëherë i besuar i socialistëve dhe personalisht i Edi Ramës. Tre zyrtarët dhe ish-zyrtarët në fjalë janë pjesa e dukshme zbatuese e projektit sekondar të transformimit të aksit Tiranë-Kashar-Rinas, duke sjellë pasojat. Por, nuk ka dyshim se këta janë thjeshtë zbatues, pasi ideatorët fshihen pas.
Ideatorët e palmave janë një rreth më lart në hierarki. Ata kanë dalë me deklarata në mbrojtje të projektit korruptiv, për të cilin deri më sot nuk ka asnjë të ndëshkuar nga drejtësia, por që mbetet për t’u parë nëse do t’i shpëtojnë Byrosë Kombëtare të Hetimit dhe organeve të tjera që do të veprojnë që nga viti 2018 e në vazhdim.
Delfini i katërt është ish-ministri i Ekonomisë, Arben Ahmetaj. Ky personazh kishte për të detyrë monitorimin e të gjitha investimeve publike të institucioneve shtetërore. Para se të zbatohej projekti i palmave, Ahmetaj kërkoi nga kompani të huaja për të marrë përsipër zgjerimin me tri korsi të autostradës Tiranë-Durrës. Ky projekt parashikonte asgjësimin e palmave sapo të vendoseshin. Nuk ka dyshim që një marrëzi e tillë, si shumë marrëzi të tjera në këtë vend, nuk mund të jetësohej pa miratimin e kryeministrit Edi Rama. Nuk është aspak çudi se ideatorët e projektit që solli përmbytjen e autostradës janë Edi Rama dhe Arben Ahmetaj, ndërsa zbatuesit janë Dashamir Xhika, Lefter Koka dhe Benet Beci. Por, nuk mbaron me kaq. Cinizmi nuk paska fund. Edi Rama doli një ditë pas përmbytjes së autostradës, duke kërkuar të nxirreshin përgjegjësitë penale për përmbytjen./Pamfleti.com