Albspirit

Media/News/Publishing

Shkolla 9-vjeçare në Mirditë pa tualete, nxënësit shkojnë lëndinave

Vetëm pak kilometra në lindje të Rrëshenit, në të djathtë te aksit të rrugës Rrëshen-Lurë, ndodhet shkolla 9-vjeçare “Prosek”, në ish-njësinë administrative Kthellë të Bashkisë Mirditë. Sipas burimeve zyrtare bëhet e ditur, se kjo shkollë është krijuar në vitin 1996 dhe ka dhënë një kontribut të rëndësishëm në zhvillimin e arsimit të shumë brezave të kësaj zonë. Por si shumë shkolla nëpër fshatrat e Shqipërisë nuk ka pasur vëmendjen e institucioneve përgjegjëse për rikonstruksion të saj, ku shumë nxënës janë detyruar ta braktisin, duke rendur drejt shkollave në qendër të vendit.

Është lënë në harresë dhe që nga viti i krijimit të saj, nuk është bërë asnjë ndërhyrje, por vetëm lyerje fasade nga kryetarët e bashkive apo drejtorët e zyrave arsimore. Nxënësit dhe mësuesit e këtij institucioni vazhdojnë të zhvillojnë mësimin në kushte shumë të vështira, pasi suvatimet janë të rëna, ka mungesë uji, mungesë të bazës materiale dhe për me keq tualetet nuk funksionojnë fare.

Kjo situatë e rëndë i detyron nxënësit, por dhe stafin e mësuesve që të përdorin pyllin në vend të tualetit. Nga fotot e bëra në këtë shkollë kuptohet qartë problematika e saj dhe kushtet e vështira ku zhvillohet mësimdhënia. Nisur nga ky fakt gazeta “Shekulli” kontaktoi autoritetet e drejtorive arsimore të Mirditës, për të kuptuar arsyet se pse shkolla është lënë në mëshirë të fatit.

Përgjegjësi i zyrës arsimore Mirditë, z.Gëzim Kaçorri, në një intervistë për “Shekulli”-n, tha se shkolla nuk ka pasur rikonstruksion të plotë që nga viti 1996, praktikisht që me krijimin e saj, ku sipas tij bëhet e ditur se e vetmja ndërhyrje ishte lyerja e mureve në fillim të vitit shkollor, duke injoruar kështu problematikat e tjera, të cilat i pohon se janë aktuale. Gjithashtu shpreson të bëhet përmirësimi i saj kur të miratohet buxheti i bashkisë për 2018-ën, që është përcaktuar nga Ministria e Arsimit, theksoi ai. “Në shkollën 9-vjeçare “Prosek” është bërë rikonstruksion vetëm në vitin 1996, që nga ky vit dhe deri tani nuk ka pasur rikonstruksione të plota, por ndërhyrje të pjesshme.

Ka thyerje të xhamave, probleme hidro-sanitare, pasi mungon uji në shkollë. Uji mungon sepse e ndërpresin banorët e fshatit shpesh për vaditje apo për arsye të ndryshme. Bashkia e bëri problematike gjendjen dhe ndërhyri që të bëjë një lidhje me rrjetin e qytetit, por uji ka probleme të ngjitet atje dhe depozita ka momente që furnizohet, por ka raste që jo. Tualetet janë të mbyllura, sepse depozitat nuk furnizohen dot nga uji i rrjetit. Do të bëjmë ndërhyrje kur të miratohet buxheti i bashkisë dhe do bëjmë rikonstruksion të plotë të saj. Duke qenë së ka vite që nuk është bërë ndërhyrje, duhet një buxhet i mjaftueshëm për të bërë këtë hap”.

Ndërkohë që drejtori i Zyrës Arsimore Lezhë, z.Bardhok Pulaj, tha se shkolla vazhdon të jetë në këtë gjendje për shkak se mungojnë investimet dhe pohon faktin, se ka vite që nuk është rikonstruktuar nga askush, por vetëm ndërhyrje në fasadë, tha z.Pulaj në një prononcim për “Shekulli”-n, duke anashkaluar pak dhe përgjegjësitë e tij në lidhje me çështjen në fjalë. “Ti ke qenë në shkollën 9- vjeçare “Prosek” dhe e ke parë gjendjen. Unë do marr informacione dhe do t’ju them. Zyra Arsimore ka pavarësi të plotë në menaxhimin e burimeve njerëzore. Shkolla është në atë gjendje, sepse nuk ka investime dhe nuk ka vendosur njeri dorë në shkollë prej shumë kohësh.

Do të shkoj në Prosek” dhe do t’ju jap një përgjigje”, tha ai. Shkolla ka 56 nxënës dhe 11 mësues, të cilët japin mësim me shumë pasion, por që nuk kanë kushtet minimale, nuk kanë ujë as tualete, për të cilat pohojnë se që në fillim të vitit shkollor nuk janë hapur fare, si dhe mungesa në bazën materiale mbeten probleme që do vijojnë të jenë shqetësim për ta. Tani me këtë dimër të ftohtë, ata nuk kanë xhama në dritare, pasi shkolla nuk është e siguruar me roje, një problem që shtrihet në të gjitha institucionet arsimore të  zonës. Kështu pohojnë drejtuesit e saj./shekulli/

Please follow and like us: