Albspirit

Media/News/Publishing

90-vjetori i artë i Avni Mulës

Kompozitori dhe baritoni i shquar Avni Mula ka festuar 90 vjetorin mes miqsh dhe artdashës të shumtë. Të pranishëm kanë qenë figura të njohura të artit mes të cilëve dhe Ministrja e Kulturës Mirela Kumbaro.

E bija e artistit, sopranoja Inva Mula do të shprehte emocionet për këtë ditë dhe në rrjetet sociale përmes një postimi.“90 vjet muzikë të mbushur me dashuri! Faleminderit bab i dashur për gjithçka ti më dhurove në jetë”, shkruan ajo. Avni Mula u lind më 4 Janar 1928 në Gjakovë . U angazhua në Ansamblin e Ushtrisë e më pas laurohet në Konservatorin P. I. Çaikovski me Medalje të Artë.

 

Ai është një nga figurat e rëndësishme të historisë së teatrit operistik shqiptar. Një kontribut të veçantë ai ka dhe në fushën e kompozicionit. Është e njohur kënga e tij “Valsi I lumturisë”. Pas studimeve në Moskë, Mula kthehet në Tiranë për të zhvilluar karrierën e tij artistike bashkë me bashkëshorten ruse Nina Mula, e cila ka gjithashtu një kontribut të çmuar në operën shqiptare. Ishte viti 1957 kur ata nisën një histori të re të operas shqiptare.

Ndër kujtimet në opera që artisti veçonte në një intervistë pak kohë më parë mund të përmendim “ operat “Traviata”, “Berberi i Seviljes”, operën “Skënderbeu” ku ishte një nga prijësit kryesorë në këtë vepër”. Ai ka interpretuar në më shumë se 30 opera dhe pothuajse të gjitha rolet më të bukura të repertorit artistik ai I interpretoi me bashkëshorten Nina Mula.

Ndër interpretimet e spikatura në karrierën e tij mund të përmëndim ato në operat Mrika, Skënderbeu, Pranvera, Lulja e kujtimit, Heroina, Komisari, Jolanda, Berberi i Seviljes, La Traviata, Rigoleto, Kavaleria Rustikana, Karmen, Peshkatarët e perlave, La Boheme, Le nozze di Figaro, Simfonia IX e Bethovenit etj. Një pjesë të roleve të këtyre veprave i ka luajtur edhe në skena të Moskës, Polonisë e Çekosllovakisë. Avni Mula ka edhe një jetë të pasur koncertale si në Shqipëri, ashtu edhe në vende të huaja.U formua si kompozitor gjatë aktivitetit 30 vjeçar të tij si këngëtar.

Duke interpretuar role, ndër më kryesorët në veprat madhore të muzikës tonë vokale e skenike dhe të asaj klasike e romantike europiane, Avni Mula studioi muzikën e këtyre veprave, duke rritur kështu mundësinë si kompozitor. Ka marrë pjesë në 30 edicione të festivaleve të këngës në Radiotelevizion, me këngë të tilla, shpesh fituese çmimesh si: Valsi i lumturisë, Nënë moj do pres gërshetin, Shqipëri o vendi im, Trëndelinë e këngë etj., si dhe në festivalet e fëmijëve: Tregimi i gjyshes, Kur këndoj për ty moj nënë, Për çdo vit në maj etj.; autor i baleteve Vajza e Malësisë dhe legjenda krutane; i operetës Karnavalet e Korçës; i operave: Borana, Stuhia, Nëna e trimave; i tabllove koreografike: Marshojmë fitimtarë, Në dritën e festës, Duet rinor, Shokë të një ideali, Në të bukurin Atdhe, Mbrëmja e maturës etj..

Gjithashtu ka kompozuar edhe shumë valle me motive myzeqare, kosovare e tropojane. Ndërkohë ka krijimtari të pasur muzikore filmike. Karakteristikë e veçantë e A. Mulës është të përjetuarit e thellë të krijimit. Ashtu siç shkruhet në veprën “Shkodra” të Marian Shestanit, këngët e tij përbëjnë një mozaik temash, melodish, gjinish, zhanresh e llojesh, me gjuhë të qartë komunikuese, me një figuracion të pasur poetik. Avni Mula është historia e muzikës operistike shqiptare.

Please follow and like us: