Trump takohet me drejtuesit republikanë të Kongresit
Presidenti Donald Trump po takohet me ligjvënësit republikanë dhe anëtarët e kabinetit të tij në shtëpinë presidenciale të pushimit, Camp David për të vendosur prioritetet legjislative të administratës për vitin 2018 dhe për të hartuar një strategji për zgjedhjet afatmesme në nëntor.
“Ne do të shkojmë në kampin David me shumë senatorë të shquar republikanë, dhe ne po e bëjmë përsëri Amerikën, një vend të madh”, tha presidenti kur u largua nga Shtëpia e Bardhë të premten.
Zëvendëspresidenti Mike Pence dhe disa sekretarë të kabinetit do të marrin pjesë gjithashtu në takim.
Presidenti po kërkon më shumë sukses legjislativ pas miratimit të fundit të projekt-ligjit për shkurtimin e taksave.
Temat në listën e prioriteteve legjislative do të përfshijnë buxhetin, infrastrukturën, imigracionin, reformën e mirëqenies dhe zgjedhjet afatmesme.
Ligjbërësit, megjithatë, duhet të punojnë shpejt për të miratuar një plan financimi deri më 19 janar për të shmangur mbylljen e qeverisë.
E ardhmja e qindra mijëra të rinjve që kanë hyrë ilegalisht në Shtetet e Bashkuara si fëmijë është gjithashtu përpara Kongresit. A do t’u lejohet të qëndrojnë në vend apo do të dëbohen në një vend ku shumë prej tyre nuk kanë lidhje?
Presidenti Trump ka propozuar që të ashtuquajturit Dreamers të qëndrojnë në vend nëse ai merr fonde për ndërtimin e një muri mes Shteteve të Bashkuara dhe Meksikës, diçka që ai e premtoi gjatë fushatës së tij presidenciale. Demokratët ka të ngjarë t’u bëjnë republikanëve rezistencë në këtë lëvizje.
Republikanët gjithashtu kanë qenë të etur për të ulur programet e përfitimeve sociale.
Përparësitë e republikanëve mund të ndalen megjithatë, nëse demokratët janë të suksesshëm gjatë zgjedhjeve afatmesme për në Kongres.
Trump po përballet me kritika në rritje në lidhje me stilin e tij presidencial. Ai e fillon vitin e ri me publikimin e një libri bombë, “Zjarr dhe Furi” nga Michael Wolff, i cili e përshkruan presidentin si fëmijë dhe që ka nevojë për ndihmë psikiatrike.
Mbetet për t’u parë se si libri dhe shqetësimet e tjera për statusin mendor të presidentit Trump do të ndikojnë në sondazhet e ardhshme.
Të gjithë 435 anëtarët e Dhomës së Përfaqësuesve dhe një e treta e 100 anëtarëve të Senatit do të garojnë në zgjedhjet e mesmandatit në vitin 2018.