Shqiptarët-pijedashës, të parafundit në Ballkan
Shqiptarët në renditjen e konsumatorëve të alkoolit nuk futen tek popujt ‘pijanecë’.
Organizata Botërore e Shëndetësisë publikoi hartën dhe listën e popujve që konsumojnë më shumë alkool. Matja është bërë duke përllogaritur sasinë e vjetore të alkoolit të pastër të konsumuar nga personat mbi 15 vjeç në vit. Në bazë të kësaj përllogaritjeje të kësaj organizate, shqiptarët rezultojnë të konsumojnë mesatarisht 7 litra alkool në vit, duke u renditur të parafundit në rajon, para Maqedonisë që konsumon 6.7 litra.
Vendin e parë në Ballkan e mbajnë rumunët me 14.4 litra në vit, ndjekur nga serbët me 12.6 litra, pastaj kroatët me 11.6 litra, bullgarët me 11.4 litra, grekët 10.3 litra, malazezët me 8.7 litra dhe boshnjakët me 7.1 litra. Në rang global rusët duket se vetëm ‘namin’ kanë sepse në krye të listës janë ‘kushërinjtë’ e tyre, bjellorusët. Këta të fundit konsumojnë mesatarisht 17.5 litra alkool në vit, ndërsa rusët pijnë ‘vetëm’ 15.1 litra në të njëjtën periudhë. Në perëndim, populli me ‘pijanec’, janë portugezët, që konsumojnë mesatarisht 12.9 litra. Ndërsa, vendet ku konsumi i alkoolit është thuajse zero janë vendet e Afrikës Veriore, ato të Lindjes së Mesme dhe aziatike.