Albspirit

Media/News/Publishing

Senati i vë ‘drynin’ qeverisë amerikane, Trump anulon vizitën në Florida

Qeveria e Shteteve të Bashkuara, mesnatën e 19 janarit (sipas kohës lokale), përballet me mbyllje, nëse demokratët dhe republikanët nuk arrijnë marrëveshje për ligjin e financimit. Dhoma e Përfaqësuesve, një ditë më herët, e ka miratuar një ligj për të zgjatur fondet deri më 16 shkurt.

Në Senat, megjithatë, demokratët kanë thënë se do ta pengojnë legjislacionin, nëse nuk negociohet marrëveshja për mbrojtjen nga dëbimi të rreth 700,000 imigrantëve që kanë arritur në SHBA si fëmijë dhe kanë qëndruar atje ilegalisht.

Shtëpia e Bardhë njoftoi se presidenti Donald Trump nuk do të shkojë në Floridë për fundjavë, siç ka qenë e planifikuar, nëse nuk miratohet ligji i financimit. Nëse mbyllet qeveria, shërbimet jetësore, si inspektimi i ushqimeve, kontrollimi i sigurisë në aeroporte dhe zbatimi i ligjit federal do të vazhdojnë. Punonjësit federalë, megjithatë, nuk do të paguhen.

Agjencitë që qëndrojnë hapur kur mbyllet qeveria

Hera e fundit kur u mbyll qeveria ishte në vitin 2013, ngaqë nuk u arrit marrëveshje për politikën e shërbimit shëndetësor. Agjenci të rëndësishme, si FBI-ja, ajo e Kontrollit të Kufijve, apo Zëri i Amerikës, vazhdojnë të funksionojnë, por me stafin më të domosdoshëm. Kontrollorët e trafikut ajror do të vazhdojnë punën si zakonisht, ashtu sikurse edhe agjentët e sigurisë në aeroporte.

Jashtë vendit, ambasadat amerikane, gjithashtu kanë anëtarë “të nevojshëm” të stafit, të cilët do të vazhdojnë punën, për të kryer detyrat bazë. Personeli ushtarak po ashtu pritet të vazhdojë punën, ndërsa punonjësve civilë të ushtrisë mund t’u jepet leje pa pagesë

Dinamika e zhvillimeve

Presidenti Trump ftoi në Shtëpinë e Bardhë të premten në mesditë udhëheqësin demokrat të Senatit, Chuck Schumer. Ata biseduan për 75 minuta, por ligjvënësi demokrat nuk dha hollësi për gazetarët lidhur me takimin, veç komenteve se u arrit përparim, por jo marrëveshje. Për shkak të ngërçit të krijuar, Presidenti Trump e anuloi një vizitë të planifikuar gjatë fundjavës për në Florida.

Ai kishte në plan të merrte pjesë të shtunën në darkë në një takim për grumbullim fondesh, për të shënuar përvjetorin e tij të parë si President. Para se Senati të mblidhej të premten, kryetari i Dhomës së Përfaqësuesve tha se demokratët do të fajësoheshin nëse projektligji për financimin e qeverisë nuk miratohet nga Senati.

“Unë i kam kërkuar popullit amerikan që ta kuptojë këtë. Të vetmit njerëz që mund të pengojnë përpjekjet për ta mbajtur qeverinë të hapur janë demokratët në senat. Varet plotësisht nga ata nëse do të ketë mbyllje të qeveriës apo jo”, tha ai.

“Unë mendoj se problemi i vërtetë është Presidenti. Në mëngjes ai ka një mendim, ndërsa pasdite një tjetër. Ka pak diskutime, koordinim mes Presidentit dhe udhëheqjes republikane në kongres. Është e vështirë të negociosh kur objektivi lëviz vazhdimisht, kur presidenti nuk e ka një ide të qartë dhe e ndryshon mendjen në varësi të personit të fundit me të cilin flet.

Presidenti e krijoi këtë rrëmujë praktikisht duke shfuqizuar programin DACA dhe duke krijuar këtë krizë artificiale. Ata duhet të punojnë me ne për ta zgjidhur këtë çështje”, thotë ligjvënësi demokrat Adam Schiff. Ligjvënësit kanë dy opsione: ose të bien dakord për një masë të përkohshme një mujore mbi financimin e qeverisë, ose mbylljen e pjesshme të qeverisë deri në arritjen e një marrëveshjeje mbi buxhetin.

Masa e përkohshme përballet me një rrugë të vështirë të miratimit në Senat, ku republikanët kryesojnë me një diferencë tepër të ngushtë, 51 me 49. Për miratimin e masës duhen 60 vota, kështu që republikanët kanë nevojë për mbështetjen e të paktën 9 senatorëve demokratë. Deri më tani shumica e senatorëve demokratë kanë thënë se do të votojnë kundër kësaj mase.

Nëse projekt-ligji për financimin e përkohshëm miratohet, ligjvënësit do të shfrytëzojnë muajin e ardhshëm për të negociuar buxhetin për pjesën e mbetur të vitit fiskal 2018, i cili përfundon më 30 shtator. Qeveria amerikane është mbyllur zyrtarisht 18 herë që nga viti 1976, kur u vendos procesi aktual i buxhetit federal.

Please follow and like us: