Ana Mehmetaj: Bashkëbisedimi im me presidentin historik
Nuk po shkruaj sa për të shkruar, e shkruaj sepse brenda meje diçka më thotë të shkruaj për një personalitet dhe lider jo vetëm shqiptar që nuk do te vdesë kurrë.
Çfarë të them, si të përshkruaj nuk e di dot se si, po jam e sigurt se do vazhdoj shumë gjatë dhe do mundohem që sado pak ta kujtoj kohën e fëmijërisë më nostalgjinë më të bukur që kam, t’i kujtoj momentet kur ti ishe shpresa e vetme për shumë gjenerata.
Edhe atëherë kur nuk dinim se nga t’ia mbajmë (kohën e luftës), ti përsëri e gjete mesazhin dhe artikulove fjalët më të ngrohta për ne:
“DO IA DALIM MBARË, DO IA DALIM SI KEMI BËRË EDHE DERI ME TANI”.
Kam fatin që ju njoha, kam fatin që sot po shkruaj për ty, presidenti historik, Dr. Ibrahim Rugova!
Kjo është më e pakta që ne mund ta bëjmë, e të shkruajmë për historinë që ti ishe dhe do të mbetesh përherë pjesa më e bukur e saj.
Me ty mbajtëm Kosovën të qëndronte para çdo represioni dhe arritëm që çështjen tonë ta bënim çështje ndërkombëtare dhe çështje amerikane dhe europiane në radhë të parë.
Unë shpesh bashkëbisedoj me ty në heshtje, ashtu sic bëjnë edhe shumë bashkëatdhetarët e mi në viset shqiptare duke të pasur përherë në mendje si një strateg të lirisë dhe pavarësisë.