Albspirit

Media/News/Publishing

Hafizi sulmon Blushin

Partia LIBRA mori dje vëmendjen e mediave pas largimit të kryetarit Ben Blushi dhe më pas përjashtimit të themelueses Mimoza Hafizi.

Ish-deputetja e Shkodrës mëngjesin e sotëm ka reaguar ashpër lidhur me përjashtimin e saj nga partia dhe njëkohësisht ka sulmuar drejtpërdrejt Blushin.

Hafizi shkruan në Facebook se është informuar nga mediat, për përjashtimin nga LIBRA për thyerje të etikës dhe e konsideron aktin nul si nga forma, ashtu dhe nga përmbajtja juridike.

“Mbrëmë vonë mora vesh nga mediat se Komisioni i Etikës Libra më paska përjashtuar nga Partia! Plot një javë më parë!!! Deklaroj se nuk kam shkelur për asnjë çast asnjë normë statutore dhe etike të partisë. Mund t’i mbroj kudo argumentet e mia, edhe përpara Komisionit të Etikës. Komision i cili është mbledhur për të më përjashtuar pa më lajmëruar, pa më dhënë fjalën, pa dëgjuar e pa patur avokatinë time”, shprehet Hafizi.

Më tej, ajo shton se ky akt “shkëlqen më fort me imoralitetin e vet politik në ditën e fundit në Libra të z. Blushi. “Një njollë më shumë, të cilën ai zgjodhi ta merrte me vete pikërisht në ditën e vetëlargimit”.

Hafizi i drejtohet Blushit duke i kërkuar që t’i japë llogari anëtarëve për faktin se në 7 muaj pas zgjedhjeve e ktheu LIBRA-n në një kaos antiligjor e në shkretëtirë njerëzore.

“Udhë të mbarë Ben! Ti ike nga Libra në fund-Janar 2018 me argumentet e qershorit 2017. Nëse vota e shqiptarëve me 25 Qershor të tronditi dhe “populli të zhgënjeu” aq shumë sa vendose të ikësh, ç’pate që vazhdove edhe 7 muaj të tjerë ta ngatërrosh e ta hutosh këtë organizatë? E ktheve Libran në një roman të denjë thriller për nga konfliktet, intriga, përçarjet, përjashtimet, fyerjet”, thekson Hafizi.

Please follow and like us: