Natalie Portman: Përjetova ‘terrorizëm seksual’ kur isha 13 vjeç
Aktorja Natalie Portman gjatë marshimit të grave në SHBA tha se përjetimi i “terrorizmit seksual” në moshën 13 vjeçare e bëri atë të ndjejë nevojën për të mbuluar trupin e saj.
Aktorja e njohur ndau përvojën e saj traumatike të shtunën ndërsa drejtoi një turmë me mijëra njerëz të mbledhur në qendër të Los Anxhelosit për marshimin e grave.
Portman u kujtua duke u kthyer në setin e “Léon: The Professional.” Ky ishte filmi i saj i parë dhe ajo luajti rolin e një vajze të re, që shoqërohej me një njeri të fiksuar për t’u hakmarrë ndaj vrasjes së prindërve të vetë.
Një vit më vonë, kur xhirimet e filmit përfunduan, ajo hapi letrën e parë të fansave. Ishte një “fantazi për përdhunim” nga një njeri.
“Shikuesit e filmave flisnin për gjoksin tim në kritika. Kuptova shumë shpejt, madje edhe si një 13 vjeçare, se nëse doja të shprehesha seksualisht, do të ndihesha e pasigurt dhe se burrat do të ndiheshin se kishin të drejtë të diskutonin dhe objektivizonin trupin tim”, tha ajo.
Portman tha se përshtati sjelljen e saj, i hodhi poshtë rolet me skena puthjesh dhe theksoi anën e saj “të librave dhe seriozitetin”.
Ajo krijoi një reputacion si një grua e re “e kujdesshme, konservatore, e zymtë, serioze”, për të ndjerë se trupi i saj ishte i sigurt dhe zëri i saj dëgjohej.
“Në moshën 13 vjeçare, mesazhi i kulturës sonë ishte i qartë për mua,” tha ajo.
“Ndjeva nevojën për të mbuluar trupin tim dhe për të penguar shprehjen time dhe punën time, në mënyrë që të dërgoja mesazhin tim në botë, se jam dikush i denjë për të fituar respekt. Përgjigja ndaj shprehjes sime, shërbeu për të kontrolluar sjelljen time në një mjedis të ‘terrorizmit seksual’”.