Albspirit

Media/News/Publishing

Ylli Manjani: Është krim, jo gabim; të hetohen kryeprokurorja dhe ministrja….

Është Krim, jo gabim!
Zonja Vasilika Hysi, profesore e së drejtës dhe deputete e Kuvendit, sugjeron se..” ekstradimi i Seitajt, mund të jetë një gabim”!
Më vjen mirë që të paktën e pranojnë që ky ekstradim u bë në shkelje të ligjit shqiptar! Këtë gjë pak a shumë pranoi edhe Ministri i Brendshëm, kur “la në baltë” kolegen e tij ministre të Drejtësisë duke pranuar se “nuk do ta kishte firmosur një ekstradim të tillë”.

Ndërkohë reagimi i vetë Ministres dhe më herët i Prokurores së Përgjithshme është krejt tjetër gjë. Asnjëra nuk tregoi ndonjë shenjë pendese, aq më pak ndonjë gjest ndjese! Të dyja me arrogancë mbrojnë pozicionet e tyre absurde në shkelje të ligjit!

E përsëris: sipas ligjit tonë askush nuk mund te ekstradohet në një shtet tjetër, nëse ndaj tij ka një çështje penale të hapur në Shqipëri! Kjo kërkesë ligjit e vendosur në kontekstin e përgjegjësive ligjore që kanë, kur nuk zbatohet bën përgjegjës direkt: Ministrin e Drejtësisë dhe Prokurorin e Përgjithshëm!

Kjo është përgjegjësi me faj dhe jo gabim njerëzor, siç mundohet ta shesë zonja Hysi!
Është e gjitha një veprimtari shtetërore e kryer me faj të rëndë dhe në bashkëpunim!
Prokurori i Krimeve të Rënda, në vend të bëjë deklarata publike, duhet të hetojë me përparësi: Prokuroren e Përgjithshme, Ministren e Drejtësisë, drejtoritë e Marrëdhënieve Juridiksionale në të dyja institucionet, zyrën e Interpolit, drejtuesit e Burgjeve dhe grupin e gjykatësve dhe prokuroreve që kanë kryer procedurën e ekstradimit!

Të gjithë këto zyrtarë me në krye Ministren dhe Prokuroren e Përgjithshme kishin për detyrë të dinin statusin ligjor dhe ta mbanin këtu të pandehurin!
Kjo është çështje tipike për Krimet e Rënda! Jo për prokurorinë e Durrësit! Subjektet që duhen hetuar janë për në burg e jo për plazh! Ky nuk është gabim, por krim! I rëndë madje!

Please follow and like us: