Albspirit

Media/News/Publishing

Spanja ekstradon në SHBA qytetarin rus të akuzuar për krime kiberbetike

Spanja ka ekstraduar për në Shtetet e Bashkuara një qytetar rus, i cili është akuzuar nga autoritetet amerikane për zhvillimin e fushatave të krimeve kibernetike, duke përfshirë përdorimin e viruseve dhe aktivitete tjera të ngjashme.

Pyotr Levashov, 37 vjeçar ishte arrestuar në muajin prill, derisa ishte në pushime me familjen e tij në Barcelonë, ndërsa më vonë është paraqitur para një gjykate federale në Connecticut, duke u deklaruar i pafajshëm për akuzat e krimeve kibernetike, duke përfshirë vjedhjen e identitetit dhe konspiracinë.

Policia Kombëtare në Spanjë ka thënë se zyrtarët i kanë dorëzuar Lavashovin marshallëve amerikanë më 2 shkurt.

Prokurorët kanë thënë se ai ka vepruar përmes rrjetit, “Kelihos,” për infektimin e kompjuterëve, dhe instalimin e viruseve të ndryshme në këto pajisje.

Avokatët e të akuzuarit kanë thënë se ai është i pafajshëm dhe rasti është i motivuar politikisht.

Rusia ka luftuar në mënyrë agresive për të kthyer Levashov në vendlindje.

Moska është ankuar vazhdimisht për ndalimin e qytetarëve rusë jashtë vendit, duke akuzuar zyrtarët amerikanë për “kidnapimin e tyre”.

Autoritetet amerikane kanë thënë se duke kërkuar ndalimin në vendet e tjera kanë vepruar në mënyrë ligjore duke dërguar kriminelët e dyshuar para drejtësisë.

Ekstradimi është miratuar në muajin tetor nga Gjykata Kombëtare e Spanjës pasi ka kundërshtuar kërkesën e ekstradimit nga Moska.

Ambasada ruse në Uashington nuk është përgjigjur në kërkesat për të komentuar këtë rast.

Please follow and like us: