Kastriot Islami: Protesta e shpresës dhe strategjia në vijim të saj
Protesta tregoi se ekziston një revoltë e madhe qytetare kundër qeverisë Rama, por dha edhe shenjat e para të shpresës së munguar deri tani. Shpresë te opozita ose më saktë për t’ia lënë në dorë drejtimin e kësaj revolte opozitës.
Protesta tregoi se revolta ka përfshirë shumicën e shqiptarëve për shkak:
- të gjendjes tejet të rëndë, ekonomike të familjeve dhe katastrofike të bizneseve;
- të papunësisë, sidomos të të rinjve;
- të varfërisë ekstreme në rritje, sidomos në qytetet e mëdha e në fshat;
- të rënies drastike të fuqisë blerëse, deri në kërkesa për bukën e gojës;
- të keqqeverisjes në çdo aspekt, arrogancës e talljes me qytetarët;
- të babëzisë së ministrave dhe pasurimit të pa fre të kupolës së rilindjes;
- të korrupsionit galopant në çdo sektor e në çdo nivel të qeverisjes;
- të lidhjes së pushtetit me krimin dhe të vendosjes së kriminelëve në postet kyçe të shtetit;
- të pastrimit të parave nga njerëzit me pushtet;
- të trafiqeve të drogës nga klanet e familjet mafioze të lidhura ngushtësisht me kupolën qeverisëse.
Protesta tregoi gjithashtu se qytetarët nuk e durojnë më
- arrogancën e pushtetit, konkretisht të Kryeministrit e të ministrave të tij;
- dhunën e policëve dhe të tatimorëve;
- dhunimin tallëse të ministrave e të deputetëve të maxhorancës;
- dhunën e tyre plot cinizëm e xhestikulacione;
- indiferentizmin e qeverisë për tu marrë me hallet e shqetësimet e qytetarëve;
- dhunën verbale të narkoanalistëve dhe sharjet e shpifjet e medias klienteliste të Ramës;
- dhunën që ushtrohet çdo ditë e çdo natë mbi kundërshtarët e kryeministrit apo klientelës së tij;
- dhunën që ushtrohet në televizione çdo ditë e çdo natë dhe në faqet e shtypit të shkruar.
Protesta ishte partiako-qytetare sepse në protestë kishte, përveç aktivistëve partiakë edhe shumë qytetarë, me ndjeshmëri partiake të të gjithë spektrit por edhe nga zona e gri e elektoratit, madje edhe socialistë të përgjegjshëm.
Pyetja që shtrohet është çfarë duhet bërë në vijim?
Nisur nga fakti që revolta do të vazhdojë të rritet sepse keqqeverisja do të thellohet, atëherë opozita duhet të ndërtojë një strategji për të rritur shpresën dhe besimin në ndryshim. Një revoltë e drejtuar nga një opozitë shpresëdhënëse do të rriste me shpejtësi madhësinë dhe intensitetin e veprimit për largimin e kësaj qeverie. Konkretisht opozita duhet të punonte në disa drejtime.
- Platforma Alternative e Qeverisjes së ardhshme
Ndërtimi i një dokumenti që adreson në mënyrë të thjeshtë e konkrete të gjithë shqetësimet, hallet e problemet e qytetarëve; ku dokument do të pasqyronte të gjithë problemet që do të dilnin gjatë një dialogu me qytetarët dhe zgjidhjet e thjeshta për secilin prej tyre. Zgjidhje që do të kalonin në duart e ekspertëve më të mirë vendas dhe eventualisht edhe të konsulentëve perëndimorë.
- Ndërtimi i një ekipi politik, inspirues, meritokratik e aktiv
Opozita në tërësi dhe PD në veçanti duhet të nisin ndërtimin e një ekipi inspirues, të bazuar në kriteret e meriotokraicsë dhe që ngjall besim për mirëqeverisjen e vendit dhe do të adresojë me korrektësi e drejtësi hallet e problemet e qytetarëve. Ky ekip duhet të fillojë të ngrihet mbi bazën e një Baze të Dhënash të burimeve njerëzore për të gjithë kontribuuesit e deritanishëm dhe të gjithë të rinjtë që kanë besim te Platforma Alternative e Qeverisjes së Ardhshme. Në këtë ekip duhet të bëjnë pjesë ekipi qendror drejtues, ekipet vendore, të gjithë postet politike, të gjithë kandidatët potencialë konkurrues për postet kyçe të qeverisjes deri dhe kandidatët konkurrentë për postet në administratën publike.
- Forcimi dhe plotësimi i organizimit partiak-elektoral
PD duhet të rinisë veprimin partiak për të forcuar organizimin partiak-elektoral, me të gjithë përbërëset e tij, atë partiake, të të rinjve, të grave, atë forcimit të lidhjeve me shoqërinë civile, me komunitetet e ndryshme, me profesionistët e intelektualët, me biznesmenët dhe fermerët, me pensionistët e të papunët, me njerëzit në nevojë dhe shtresat e margjinalizuara, e tjerë e tjerë. Ky organizim gjithëpërfshirës duhet të nisë nga krijimi/plotësimi i ekipit të afërt të kreut të PD deri në ngritjen e sistemit të patronazhit në nivelin e anëtarit të seksionit
- Platformë për bashkëpunimin politik, elektoral dhe qeverisës
Opozita dhe PD në veçanti duhet të nisin punën për diskutimin, debatin e brendshëm dhe hartimin e një platforme të bashkëpunimit politik, elektoral e deri qeverisës, eventualisht me të gjithë forcat politike opozitare, pavarësisht madhësisë së tyre, me synim ndërtimin e një koalicioni fitues në përballjen e ardhshme elektorale dhe që do të qëndronte eventualisht në themel të krijimit të maxhorancës qeverisëse. Ky proces duhet të jetë mbi të gjitha gjithëpërfshirës së brendshmi.
- Ngritja e një ekipi të marketingut mediatik
Opozita dhe PD në veçanti duhet të ngrenë apo të forcojnë me ekspertë vendas e të huaj, një grup për hartimin e një strategjie të marketingut politik e elektoral. Kjo strategji e marketingut politik e mediatik duhet të përfshijë jo vetëm median e ndershme vendase, por edhe atë të huaj si dhe portalet e rrjetet sociale në mënyrë që të gjithë veprimet e opozitës të shkojnë te çdo qytetarë, me të gjithë mënyrat, derë me derë, përmes medias televizive e të shkruar, përmes portaleve, internetit e rrjeteve sociale.
- Ngritja e një ekipi lobingu me ekspertë vendas e të huaj
Opozita dhe PD në veçanti duhet të ngrenë apo të përforcojnë një grup lobingu me ekspertët më të mirë vendas e të huj për të informuar, sqaruar apo sensibilizuar kancelaritë perëndimore për realitetin shqiptar; për ti furnizuar në mënyrë të përditshme me lajme dhe informacione mbi gjithçka ndodh në Shqipëri.