Albspirit

Media/News/Publishing

Jeta operistike e Ermonela Jahos

Në studio zhvillohen provat për operën “Thaïs”, e cila do të hapë kalendarin operistik për këtë vit në Qendrën Kombëtare të Interpretimit të Arteve të Kinës. Artistja që do të luajë rol e Thaïs-it është sopranoja shqiptare Ermonela Jaho.

Artisja Ermonela Jaho ka nënshkruar kontratë me Operën Mbretërore të Londrës, por gjithashtu interpreton edhe në Operën Metropolitan, Operën Shtetërore të Berlinit dhe në Teatrin Champs – Elysee. Në vitin 2016, Jaho fitoi ‘Çmimin e Publikut (The Reader’s Award) në garën e ‘Çmimeve Ndërkombëtare të Operës’ që ndryshe njihet gjerësisht dhe si ‘Oskari i Operës’. Ky çmim jepet mbi bazën e votimit të publikut në internet, prandaj na intereson të dimë dhe burimin e forcës tërheqëse të Jahos për shikuesit.

Pa diskutim që rezultatet e shkëlqyera të Jahos vijnë nga këmbëngulja dhe përpjekjet e saj ndër vite. Ermonela Jaho lindi në vitin 1974 në një familje të thjeshtë shqiptare. Për shkak të punës së prindërve, ajo jetonte me gjyshen dhe motrën e saj me aftësi të kufizuar. Ermonela filloi të mësojë këndim që në moshën 6 vjeçare dhe për shkak të rezultateve të mira ajo mundi të hyjë në Akademinë e Arteve të Tiranës. Me talentin dhe përpjekjet e saj, Jaho interpretoi që 17 vjeç në rolin kryesor të operës ‘La Traviata’. Ajo mund ta ndiejë mirë rolin edhe për shkak të eksperiencës së saj personale të largimit nga shtëpia në moshë të vogël.

Sopranoja Jaho me aftësi të lartë dhe pasion të fortë shfaqet në rol me emocionet e asaj kohe. Pasi arriti rezultate të dalluara, Jaho vendosi të vazhdojë studimet në Itali. Në fillim nuk kishte miq në Itali e nga paragjykimet si shqiptare, studentët e tjerë nuk i dhanë miqësi. Por Jaho u shfaq e fortë dhe nuk i tregoi asnjëherë vështirësitë e saj. Ajo bënte punë të shumta dhe për të kursyer para ndërronte shpesh shtëpi. Artistja e dinte mirë se për të realizuar ëndrrën e saj operistike, duhet t’ia dilte vetë.

Me vështirësi dhe përpjekje të vazhdueshme, Jaho arriti përparime të mëdha karrierën e saj operistike si dhe ia doli të merrte “Oskarin e Operës” me veprën ‘Suor Angelica’ të Puçinit.

Në vitin 2011 Jaho u ftua të luante rolin Suor Angelica-s, por ajo refuzoi këtë ftesë, sepse sapo kishte humbur prindërit. Sopranoja shqetësohej se kur të këndonte arien “Senza mamma” nuk do të mund t’i kontrollonte emocionet. Pesë vjet më pas Jaho la mënjanë trishtimin dhe interpretoi Suor Angelica.

Me talent, përpjekje dhe eksperiencë, Jaho u jep jetë roleve të ndryshme. Me ftesën e Qendrës së Kombëtare të Interpretimit të Arteve të Kinës, ajo do të interpretojë në operën e parë të vitit 2018 “Thaïs”. Sopranoja thotë se karakteri i fortë ballkanas mund të ndihmojë ta luajë mirë këtë rol, por njëkohësisht ajo flet edhe për sfidat e tij.

Ajo tha: “Thaïs është pak ndryshe, mos them shumë ndryshe. Por sepse unë jam mësuar nga që vij nga Shqipëria me këtë karakterin ballkanas, që çdo gjë e duam me të prerë e me të therur, me të vdekur në skenë dhe Thaïs është pak më elegante, shumë filozofike dhe do një mënyrë tjetër, do një lloj meditimi. Çdo gjë ka një lloj përgatitje psikologjike, nuk është aq direkt sa muzika italiane që shpërthen, siç është tek Butterfly apo tek Traviata, kurse Thaïs është më e përmbajtur, ka ato shpërthimet e veta, por gjithmonë e përmbajtur me një lloj kontrolli, Megjithatë ka momente që edhe njerëzit e kontrolluar kanë atë zjarrin brenda që mendoj ai emocioni, që ai karakteri ynë ballkanas, mesdhetar e ndihmon për t’i dhënë një ngjyrë tjetër. Megjithatë, është një sfidë. Edhe kur i këndon operat me qindra herë, gjithmonë është një sfidë sepse çdo ditë ke gjera të tjera për të zbuluar.”

Shpirti i optimist dhe këmbëngulës ndikon vazhdimisht tek sopranoja Jaho. Ajo e shfaq këtë shpirt edhe në interpretimin saj. Në operën “Thaïs” janë ftuar artistë nga shumë vende, si Shqipëria, Franca, Spanja dhe Italia që do të bashkëpunojnë me artistët kinezë. Jaho mendon se kjo përzierje artistësh do ta bëjë shfaqjen më të veçantë.

Ajo tha: “Jemi një miks, për shembull në shfaqjen e parë do të jem unë me maestro Domingon, në shfaqjen tjetër do të jetë Davinia Rodríguez, spanjolle që këndon rolin e Thaïs-it dhe Marc Barrard, nga Franca. Nicias do të jetë italian, kemi një Anathael tjetër kinez. Është një miks dhe në këto momente e quaj veten me fat sepse për këtë bashkëpunim duhet ta kesh mendjen e hapur dhe merr nga kultura e njëri tjetrit, nga mënyra sesi shprehesh, ndaj dhe do të ketë një larmi ndjenjash, emocionesh dhe ngjyrash ashtu siç është dhe jeta e përditshme. Do të ketë diçka magjike sepse jemi të gjithë, që vijmë me nga një bagazh kulturor të ndryshëm. Do të jetë diçka e veçantë, ne do të bëjmë më të mirën.”

Gjatë provave sopranoja Ermonela Jaho mësoi se ka fansa edhe në Kinë dhe për këtë fakt u shpreh e mrekulluar.

Shikuesi Jiang:"Më pëlqen shumë shfaqja juaj dhe uroj suksese këtë herë.”

Jaho tha:”Oh të faleminderit, më emocionove shumë tani. S’kam fjalë fare, por ju faleminderit shumë. Kur je i sinqertë dhe këndon me shpirt, mendoj se çdo zemër e çdo vendi, ndjenja e sinqertë godet. Në qoftë se ky lloj emocioni i ka dhënë diçka artistëve dhe fansave kinezë, unë ndjehem shumë e lumtur, ju dua shumë dhe shpresoj të mos ju zhgënjej në rolin e Thaïs-it.”

Shikuesi Jiang:”Jam duke pritur shfaqjen e operës ‘Thaïs’ dhe interpretimin e Ermonela Jahos, sepse kjo shfaqje ka plot emocion. Unë si një student që mësoj prej vitesh muzikën klasike kam interes të madh për operën. Opera mund të bashkojë muzikën me teatrin. Artistët mund të shfaqen në karaktere të ndryshme me këngë dhe aktrim. Ju uroj suksese në shfaqjen e ‘Thaïs’-it” /Çang Çuo, Radio Kina ne shqip/

Please follow and like us: