Sadik Bejko: Çdo njeri vret atë që dashuron më shumë
Oscar Wilde: BALADA E BURGUT READING
(fragment)
Çdo njeri vret atë që dashuron më shumë,
Këtë sikush duhet të vërë fort ndër mend.
Kush e vret dashurinë me një shikim të lig,
Kush dhelpërisht e vret me një lajkë
I paburri e vret me një të puthur
Zemërforti veç e pret me shpatë.
Më të shumtët e vrasin dashurinë në rini
Ç’mbetet kur i dergj pleqëria
Dikush e mbyt me thonjtë e epshit
Me gishta ari një tjetërkush.
Të pamëshirët përdorin thikën
Në çast u ftohet në duar kush ikën.
Dikush dashuron pak, një tjetër pa fund
Disa e shesin, disa e blejnë shtrenjt
Kush shet e ble dashuri mes lotësh
Dikush shet e ble qenërisht.
Të gjithë e vrasin atë që duan më shumë
Dhe nuk e shpaguajnë me vdekje që të gjithë.
Sartri shkruan se një fotograf e shkrep aparatin me një zemërim vrasës. Fotografi Gjon Mili, thotë ai, të vret duke qeshur. Ai të robëron, të ngul me një gjilpërë në koleksionin e tij, ndërkohë që ti je gjallë.
Oscar Wilde në baladën e tij me mbi 600 vargje na thotë se secili nga ne vret njeriun që do më shumë.
Fragmenti më lart është mjaft i njohur.
Dashuria, lidhja me lordin Alfred Douglas, Oscar Wilde e çoi në burg. Si doli nga burgu më 1897, ai shkroi baladën. Ishte një i mbaruar moralisht dhe me gjithësejt… ikur nga Anglia, vdiq 46 vjeç më 1900 në Paris.
Përvojën e tij të hidhur dashurore e solli në vargjet më sipër. Njeriu e vret atë që do. Dashuria me kohë korruptohet, ndërron objekt…
Kjo që ndodh me dashurinë nuk mund të fotografohet nga asnjë fotograf gjeni si Gjon Mili, mbase as nga një shkrimtar po ashtu gjenial si Qscar Wilde.