Albspirit

Media/News/Publishing

Epiri i Veriut, një falsitet i shtrirë në 20 shekuj dhe që helmon marrëdhëniet shqiptaro-greke

Marrëdhëniet shqiptaro-greke kanë hyrë sërish në një qerthull delikat, pas negociatave për zgjidhjen e një numri çeshtjesh të vjetra dhe të reja mes dy vendeve. Në këtë analizë historike, diplomati i njohur shqiptar Zef Mazi hedh vështrimin mbi një prej falsiteteve më të qëndrueshme në kohë, të ngritura në këmbë nga historiografia greke, që ka të bë me konceptin e Vorioepirit.

Koncepti gjeografik dhe politik i Epirit ka qenë – Epir i Vjetër dhe Epir i Ri. Ndarja dhe përcaktimi i Epirit në Epir të Veriut dhe për rrjedhojë edhe në Epir të Jugut nuk ka vërtetësi historike.

Ka afro 100 vjet që politika greke ka filluar dhe vazhdon edhe sot propagandimin e kuptimit apo të përfytyrimit Epir i Veriut (Vorio Epir) dhe të pretendimeve për të. Propaganda tepër intensive e deri e pasaktë, gjithëkund përfshin masivisht mediat dhe sferat politike dhe ka bërë që kuptimi “Epir i Veriut” të përvetësohet dhe të përdoret sot edhe nga zyra të ndryshme Europiane e të tjera. Por ai përdoret në kuptimin e vet jo të vërtetë; ai trajtohet si një dukuri që egziston, që përbën shqetësim dhe që kërkon një farë trajtimi dhe zgjidhjeje pa u thelluar në vërtetësinë historike.

Ndoshta jo krejtësisht në këtë kuptim, por thjesht si term referues për një territor gjeografik i banuar nga nje popullsi e caktuar greke, përsëri pa u thelluar sa duhet, ai është përdorur edhe nga autorë të ndryshëm perendimorë, përfshirë edhe Robert D. Kaplanin në librin e tij “Greqia, dashnorja e perëndimit, gruaja e lindjes”. “Njoftimet e mediave në vend që të shpjegonin Greqinë moderne, nuk bënë gjë tjetër veçse hodhën dritë mbi injorancën e Perëndimit për shtrirjet më të gjëra dhe më të rëndësishme të historisë greke”, shkruan Kaplan. Prandaj është gjetur me vend përfshirja këtu e disa sqarimeve themelore për këtë çeshtje.

Deri në vitet 1912-1913, me ndarjen e Ballkanit sipas linjave që vendosi Kongresi i Berlinit më 1878, termat apo kuptimet Epir i Veriut (Vorio Epir, Northern Epirus) dhe vorioepirote (Vorioepirotes), siçi quajnë grekët sot popullsinë që jeton atje, nuk janë përmendur absolutisht në asnjë dokument. Kjo pasqyron një të vërtetë, sepse termi Vorio Epir nuk përfaqëson ndonjë kuptim gjeografik të Epirit si territor. Për të kuptuar drejt problemin e kufijve jugorë të Shqipërisë duhen studiuar me vëmendje ndarja administrative e Perandorisë Bizantine para pushtimit otoman, si dhe emërtimet që morën këto territore në organizimin e shtetit otoman në shekullin XV e më tej. Në këtë kuadër, vend të posaçëm merr edhe Epiri, për të cilin përmbledhtazi pa pretenduar zbulime të reja disa gjëra kryesore mund të thuhen me saktësi historike të provuar.

Epiri përbën një krahinë dhe njërin nga shtetet e Ilirisë të Jugut. Ai shtrihej në malet e Vetëtimës (Akrokeraunet antike) dhe në rrjedhën e mesme të Vjosës, deri në gjirin e Ambrakisë në Jug, dhe nga malet e Pindit në Lindje deri në brigjet e detit Jon në Perëndim. Si emër i përveçëem gjeografik ai fillon të njihet nga fundi i shekullit VI p.e.r., deri sa në shekullin IV p.e.r. mori edhe kuptim të përcaktuar politik.

Fiset që banonin në këtë trevë ishin Tesprotët, Kaonët dhe Molosët. Ato fise dolën në histori si forma politike më vete në Luftën e Peloponezit (432-404 p.e.r.) dhe ishin aleatë të Spartës më 429 p.e.r. Sundimtari i Molosëve, Tarypa, krijoi edhe shtetin që u quajt Lidhja e Molosëve. Pas mesit të shekullit IV p.e.r., ata përfshihen nën ndikimin maqedon, por sundimtaret vendas vazhduan proçesin e bashkimit më tej derisa erdhën tek Aleanca Epirote, një shtet federalist i kohës se Aleksandrit Molos (342-31 p.e.r.). Etapa e tretë është sundimi i Pirros (307-272 p.e.r.), i cili shtiu nën zotërim edhe pjesë të Maqedonisë, Tesalisë dhe disa krahina të Ambrakisë, Amfilokisë dhe Akarnanisë.

Shteti monarkik epirot humbi rëndësinë në vitet 30 të shekullit III p.e.r. dhe u kthye në shtet republikan i njohur me emrin Lidhja Epirote. Në vitin 167 p.e.r. ajo ra nën sundimin romak dhe pas vitit 148 p.e.r. u bë pjesë e provincës maqedone. Me reformën e Dioklecianit (fundi i shekullit III e.r.), emërtimi Epir shtrihet deri në brigjet e Vjosës dhe u quajt Epiri i Ri (Epir Nova) për t’u dalluar nga pjesa tradicionale që u quajt Epiri i Vjetër (Epirus Veins). Në trevën e Epirit të Vjetër, në fillim të shekullit XIII, u krijua i quajturi Despotati i Epirit dhe nga shekulli XV nuk bëhej më dallim ndërmjet Epirit të Ri dhe të Vjetër. Pra, Epiri i Ri u krijua si provincë e prefekturës së Ilirikumit -Ilirise, nga reformat e Dioklecianit. Ai përfshinte krahinat e Shqipërisë së sotme, qendrore dhe jugore, nga lumi Mat deri në lumin Vjosa dhe qeverisej nga një konsullar e kishte si qendër Dyrrahiumin. Edhe Epiri i Vjetër përfshihej në prefekturën e Ilirikumit dhe shtrihej nga lumi Vjosa deri në gjirin e Ambrakisë, qeverisej nga një hegjemon dhe kishte si qendër Nikopolin (Prevezën e sotme).

Shumë autorë të lashtë si Herodoti, Tukididi, Straboni, të cilët mbahen si baballarët e historisë greke, kanë arritur në përfundimet për përcaktimin e Epirit si territor dhe si popull duke dëshmuar se kjo hapesirë (Epiri) nuk përfshinte pjesë të Greqisë. Sipas Strabonit, Greqia kufizohej me Akarnian (sot malet e Pindit) dhe me gjirin e Ambrakisë ne Veri, si dhe me territorin e quajtur Epir të banuar nga barbarë, siç i quainin grekët e lashtë të gjithë ata që nuk flisinin greqisht. Pra, i takonin një race tjetër, “barbarëve”. Ka jo pak autorë dhe shkencëtarë serioze Europianë që kanë dëshmuar se Epiri nuk ka qenë ndonjëhërë grek. Mund të përmenden edhe disa harta zyrtare të botuara në Angli, Gjermani dhe Austro-Hungari në shekujt e kaluar ku përdoret termi Shqipëri e Jugut dhe jo përcaktimi Epir.

Prandaj, koncepti gjeografik dhe politik i Epirit ka qenë ai që përshkruam, Epir i Vjetër dhe Epir i Ri. Ndarja dhe përcaktimi i Epirit në Epir të Veriut dhe për rrjedhojë edhe në Epir të Jugut nuk ka vërtetësi historike. Termi “Vorio Epir” është një përfytyrim, një kuptim politik, falsifikim i së vërtetës historike për Epirin, për trashëgiminë dhe gjeografinë e tij. Ai është krijim i atyre qarqeve të cilët si platformë politike shtetërore në Asamblenë Kombëtare të Greqisë më 1844, përmes gojës së kryeministrit Jan Koteli, shpallën Megali-Idene (Idenë e Madhe) si themel të egzistencës së Greqisë. Synimi ka qenë krijimi i një shteti të madh grek në kufijtë e Perandorisë Bizantine, ku do të përfshiheshin edhe popullsi të tjera ballkanike, si shqiptare, bullgare, maqedone, etj.

Ndër të tjera, objekt i kësaj platforme ishte përfshirja në shtetin grek të një pjese të tokave shqiptare, e thënë më saktë edhe krahinat e Korçës dhe Gjirokastrës (mundësisht edhe më shumë), që Fuqitë e Mëdha Europiane i njohën si pjesë të shtetit shqiptar pasi i dhuruan Greqisë rajonet më jugore shqiptare në Epir, si Çamërinë dhe krahina të tjera, si Janinën e Kosturin. Për arritjen e këtij synimi u krijua, u përdor dhe vazhdon të përdoret pasaktësisht përfytyrimi i ashtuquajtur “Vorio Epir”. Kjo ka qenë baza e politikës greke gjatë shekujve XIX dhe XX në marrëdhëniet ndërkombëtare. Fatkeqësisht, ajo edhe sot duket se mbizotëron drejtimin e politikës greke ndaj Shqipërisë, pavarësisht se me çfare velloje dhe etiketimi përpiqet të mbulohet.

Pjesë nga parathënia e librit “Greqia, dashnorja e Perëndimit, gruaja e Lindjes” i Robert D. Kaplan (botuar ne 2002)

Nga Zef Mazi
Diplomat, ish-ambasador në organizatat shumëpalëshe dhe Britaninë e Madhe

Please follow and like us: