Çapajev Gjokutaj: Mbi dy hidrocentrale në kanionet e Osumit…
Bëhet fjalë për ndërtime në një park të shpallur ‘Monument Natyre’. Shkelje e ligjit me dy këmbë!
Bëhet fjalë gjithashtu për një nga pasuritë më të çmuara natyrore, shumë ngashënyese për turistët. Po kush pyet për bukuritë e kanioneve dhe për turizmin?
Rëndësi ka që një firmë të ndërtojë lehtë e të sigurojë fitime të mëdha. Po pati pare me shumicë, dalin e teprojnë që të lyhet dhe qerrja e pushtetarëve.
Perspektiva turistike do gjallëronte rajonin dhe do inkrajonte dhjetra biznese të vogla. Po këto janë si punë pleshtash para biznesit të madh.
Dhe pushtetarët e dinë mirë interesin e xhepit të tyre. Më sa del dhjamë nga pleshti, aq mund të marrin ryshfete të majme nga bizneset e vogla.
Odiseja e aprovimit të lejeve për këto dy hidrocentrale është gjithë domethenie.
I aprovoi qeveria demokrate në 2013-ën, shpejt e shpejt, vetëm një javë para ikjes. Qeveria socialiste, sa erdhi në zyra, e quajti marrëzi e babëzi cenimin e kanioneve.
Po muri s’luan, kurse burri luan, madje bën dhe pirueta kur e do interesi. Natyrisht jo interesi i vendit dhe i popullit.
Në maj 2016, Ministria e Energjisë, pa çak pa bam, ka miratuar një kontratë të re.
Jepet leja që dy hidrocentralet, jo vetëm të ndërtohen, por të rritet kapaciteti i tyre gati tre fish. Afër mendsh, po kaq, në mos më shumë do rritet edhe shkatërrimi i ambjentit.
Lejet janë dhenë edhe pse brenda maxhorancës ka patur e ka zëra kundër. Dhe janë persona me peshë si ish kryetari i kuvendit, ministri aktual i mjedisit, kryetari i komisionit të ekonomisë në parlament etj.
Po topi bam e Muçua tutje! Leja e ndërtimit është dhenë pavarësisht kundërshtive. S’thoshte kot usta Spirua: paraja e rreh ujin jo në dybek, por në havan dhe ç’të rrahur, nxjerr edhe gjalpë.
Që paraja e ryshfeti bëjnë çudira e kupton dhe bufi në këtë vend. Por unë s’kuptoj një gjë.
Ambjentin, territorin, dheun e këtij vendi e kemi sublimuar e shenjtëruar në fjalë si ‘mëmëdhe, atdhe, trojet stërgjyshore’ etj. etj.
Jo vetëm kaq, s’lemë rast pa glorifikuar gjakun e djersën e derdhur për këtë dhé.
Por në ketë çerek shekulli tranzicion kemi parë pyje të tëra të prera e të djegura, lumenj të gërryer për zhavorr, që kafshojnë tokat stërgjyshore dhe i shpien në det. Dhe dhjetra mynxyra të këtij lloji.
Por shumë shumë kemi bërë gëk-mëk nëpër media e rjete sociale. Si të ishim popull memec e, larg qoftë, impotent.
Po një gjë s’e luan topi, kur është fjala për dheun e të parëve, ne të marrim gjak në vetull ?