Irma Kurti: Vetmia më e keqe
U desh të kalonte një jetë
që të kuptoj se vetmi
s’do të thotë të jesh vetëm,
por e rrethuar me njerëz.
Me të afërm, të njohur,
me buzëqeshje plot,
me ata që të rrahin krahët,
pastaj të ngulin thonjtë.
Të jesh vetëm do të thotë
të kesh përreth njerëz
që s’arrijnë të të kuptojnë,
lotët t’i marrin për dobësi
dhe për heshtjen tënde
të etiketojnë
si të çuditshme
e të ftohtë.
Të ndiesh vështrime
që të shpojnë si gjemba,
të mblidhesh si kërmill
rreth vetes,
të dëshirosh në një cep
të qash në heshtje.
Mes njerëzve… kjo është
vetmia më e keqe.
Please follow and like us: