Alket Hyseni: Ja me se i këmbeva 11 mijë metër katrorë tokë në bregdet
Deputeti socialist Alket Hyseni e quajti një akuzë të montuar atë të zonjës Irini Bua, e cila gjatë emisionit “Të Paekspozuarit” denoncoi përvetësimin e tokës së saj në mënyrë të paligjshme, duke drejtuar gishtin nga parlamentari i Partisë Socialiste.
Por deputeti i Sarandës thotë se nuk e njeh zonjën, ndërsa tregon se ka shkëmbyer disa apartamente, njësi dhe garazhe të fituara para vitit 2010 nga të ardhura që ai i quan të ligjshme dhe të deklaruara, me një sipërfaqe toke bujqësore, të cilën shton se e ka shitur vitin e kaluar.
“Toka bujqësore është fituar nga një AMTP (tapi) në emer të kunatit të zonjës që akuzon, e marrë para dhjetëra vitesh dhe e regjistruar me vendim gjykate. Është transferuar me kontratë noteriale para disa viteve tek një person i tretë, përpara se të kalonte në pronësinë time të përkohshme. Nuk e njoh fare përfituesin fillestar të kësaj prone (kunati i zonjës Bua). Ndërkohë zonja nuk ka përfituar sipërfaqe toke pasi nuk ka qenë banore e fshatit Dhërmi në vitin 1991, dhe nuk i takon sipas ligjit. Nëna e bashkëshortit të zonjës, Athina Bua, ka përfituar tokë bujqësore si banore e fshatit nëpërmjet një AMTP tjetër që s’ka lidhje me të kunatit”, thotë Hyseni.
Sipas deputetit socialist, edhe gjyqësori i ka thënë zonjës Bua se i ka të pabazuara akuzat.
“Janë regjistruar me vendim gjyqësor në kohën e qeverisjes së PD ku përcaktohet qartë se janë parcela të ndryshme. Për këtë sipërfaqe të AMTP-së së dytë ka lindur konflikti familjar pas vdekjes së nënës së tyre, lidhur me trashëgiminë testamentare. Zonja Irini Bua dhe bashkëshorti i saj, rezulton se i kanë humbur disa beteja gjyqësore dhe kanë bërë disa kallëzime penale në vite ndaj shumë personave dhe institucioneve, madje edhe ndaj meje, por që janë pushuar si të pabazuara”, vijon ai.
Duke i cilësuar akuzat si shpifje të ulëta të nxitura politikisht, Alket Hyseni fton zonjën Bua që të mos bëhet instrument për konsum politik dite, me synim baltosje dhe shmangie të vëmendjes nga problemet e opozitës, që sipas tij lidhen me financimet me para të pista dhe të dyshimta nga oligarkë rusë./TCH/