Koço Kokëdhima: Tokat e bregut
Qeveritë e Tiranës dhe kryetarët e partive të vjetra kanë grabitur sistematikisht tokat në bregdet. Me një vendim të vitit 2014, qeveria socialiste sanksiononte mënyrën se si do të kthehej përfundimisht me tapi dhe e hipotekuar te familjet, toka e ish-ndërmarrjeve bujqësore. Jo vetëm që kjo nuk u bë, por tani pas katër vitesh, qeveria që ka shkelur sa e sa herë interesat e popullit, duke u vënë në shërbim të një grushti oligarkësh, ka ndryshuar krejtësisht planet. Me anë të një vendimi të pak ditëve më parë, ajo ka pezulluar pikërisht procesin e kalimit të tokës bujqësore në pronësi të përfituesve. Dhe këtë po e bën në emrin e “investimeve strategjike”. Kjo qeveri po shkatërron çdo ditë e më shumë liritë ekonomike pasi ka likuiduar liritë politike, mjedisin dhe burimet natyrore, klimën e biznesit, barazinë e operatorëve dhe rolin rregullator të tregut që është mbytur nga monopolet e zyrtarëve të lartë dhe të një grushti ortakësh të tyre; forcën e gjallë dhe aktive e cila po emigron në vendet e tjera. Ndërkohë investimet e huaja i rrinë larg Shqipërisë, sikur njerëzit kanë frikë nga murtaja. Nuk është aspak rastësi që harta e këtij vendimi të qeverisë përfshin zonat bregdetare më të lakmuara në Shkodër, Lezhë, Kurbin, Durrës, Kavajë, Rrogozhinë, Divjakë, Fier, Vlorë, Himarë, Sarandë dhe Konispol.
Për t’i paraprirë këtij plani grabitqar për zonat e fundit të virgjëra të Shqipërisë dhe për t’i hapur rrugë betonizimit të tyre, në fund të vitit 2017 qeveria miratoi një paketë për “investimet në turizëm”, të denoncuar nga ZGJIDHJA në atë kohë, duke e kthyer Shqipërinë në një parajsë të vërtetë fiskale, vetëm për ata që marrin nga qeveria statusin special të investitorit dhe ndërtojnë e shesin apartamente dhe vila, duke kompromentuar rëndë edhe këtë potencial zhvillimi që i ka mbetur Shqipërisë. Zoti qoftë i pakënaqur me “gojët e liga” që thonë se këtu nuk bëhet fjalë për investime strategjike, por për pastrimin e parave të korrupsionit dhe të drogës.
Një qeveri nuk ngrin dot të drejtat e ligjshme të pronësisë mbi tokën! Kjo është çmenduri, është shkalla më e lartë e arrogancës së mafies sē tokave dhe tiranisë së korrupsionit. Edhe Italia fashiste që na pushtoi në vitin 1939 nuk i grabiti tokat në Shqipëri dhe i bleu të gjitha hapësirat që i duheshin për ndërtime logjistike e ushtarake nga pronarët e ligjshëm. Kjo qeveri sillet ku e ku më keq se pushtuesit me tokat e shqiptarëve.
ZGJIDHJA i kërkon qeverisë që të heqë dorë urgjentisht nga ky plan, sepse do të përballet pa hezitim me zemëratën e pronarëve të ligjshëm të këtyre tokave. Ne nuk jemi kundër zhvillimit të turizmit elitar në bregdetin shqiptar, por kjo nuk mund të bëhet pa projekte konkrete, pa transparencë dhe, mbi të gjitha, duke flakur jashtë pronarët e këtyre territoreve.
Shumica e Shqipërisë janë pa tituj pronësie dhe jashtë qarkullimit ekonomik. Vetëm ZGJIDHJA ka vizionin dhe projektin, vullnetin, aftësinë dhe kurrajon që të futë në qarkullim ekonomik të gjitha asetet dhe burimet e bllokuara të këtij vendi, pronat e patundshme në rradhë të parë.
ZGJIDHJA në pushtet do të pajisë me dokumenta pronësie të gjithë qytetarët dhe nuk do lejojë ngrirjen e të drejtave të këtyre pronarëve në asnjë rrethanë. Ajo do t’u hapë rrugë investimeve të vërteta strategjike me një nga tri rrugët: me blerje të tokës nga investitorët, me përfshirje të tokës si kapital të pronarëve të saj dhe me shpronësim me çmimet e tregut. Vetëm pasi qeveria ta paguajë tokën me çmim tregu, ajo mund ta vendosë atë në dispozicion të kontratës së re për investimin strategjik të miratuar.