NATO dëbon 10 pjesëtarë të Misionit të Rusisë
Vala e dëbimeve të diplomatëve, shpesh të cilësuar si oficerë të shërbimeve sekrete të Rusisë, nuk ka të ndalur.
E pas veprimeve të njëpasnjëshme të vendeve të ndryshme, që ndoqën njoftimin e Donald Trumpit një ditë më parë për dëbimin e diplomatëve rusë si pasojë e sulmit me agjent kimik në tokën britanike, sot ka reaguar përmes një deklarate për mediet edhe Sekretari i Përgjithshëm i NATO-s, Jens Stoltenberg.
Sulmi i Salisburyt është cilësuar nga Britania si e para herë e përdorimit të armëve kimike në territor europian që prej Luftës së Dytë Botërore, cilësim të cilit i bëhet jehonë edhe nga Stoltenberg, me këtë të fundit që bën dallimin vetëm të “territorit të NATO-s”.
Që prej 14 marsit, kur aleatët e NATO-s shprehën shqetësimin e thellë dhe dënuan këtë shkelje të normave ndërkombëtare, konsultime intensive janë mbajtur mes tyre në kryeqytetet e vendeve respektive, përfshi edhe në selinë e NATO-s, nga të cilat ka rezultuar deri më tani dëbimi i mbi 140 zyrtarëve rusë nga 25 vende aleate të Aleancës së Atlantikut të Veriut dhe partnerët e saj.
“Kjo është një përgjigje e gjerë, e fuqishme dhe e koordinuar ndërkombëtare dhe, si pjesë e kësaj përgjigjeje, edhe NATO do të unifikojë ndërmarrjen e hapave të mëtejshëm. Sot më duhet të njoftoj tërheqjen e akreditimit për 7 pjesëtarë të stafit të Misionit të Rusisë në NATO. Përveç tyre, kam refuzuar kërkesat për akreditim të 3 pjesëtarëve të tjerë”, njoftoi Stoltenberg.
Këshilli i Atlantikut të Veriut ka reduktuar në maksimum përbërjen e Misionit rus në 10 persona, në përputhje me vendimin e marrë nga Sekretari i Përgjithshëm i NATO-s. “Kjo e çon numrin maksimal të këtij stafi në 20 persona”, shtoi më tej Stoltenberg.
Ai theksoi se ky veprim i jep një mesazh të qartë Rusisë se duhet të përballet me kostot dhe pasojat e sjelljes së papranueshme dhe të rrezikshme të saj. Kjo vjen edhe si rrjedhojë e mungesës së përgjigjeve konstruktive mbi atë çfarë ndodhi në Salisbury, theksoi Stoltenberg.