Albspirit

Media/News/Publishing

Lista Srpska largohet nga qeveria e Kosovës

Lista serbe, e cila ka 10 deputetö në parlamentin e Kosovës, mori vendim që të largohet nga qeveria e Kosovës e udhëhequr nga Ramush Haradinaj. Lajmin e komunikoi shefi i kësaj liste, Goran Rakiq, në një konferencë për medie nga Beogradi, pas takimit që zhvilluan me Presidentin e Serbisë, Aleksandër Vuciq. Sipas Goran Rakiq, “Lista Serbe, ka vendosur që gjatë muajit prill në mënyrë të njëanshme ta themelojë Asociacionin e Komunave me Shumicë Serbe dhe për këtë veprim e kemi edhe mbështetjen e Presidentit të Serbisë, Aleksandër Vuçiq”, tha Goran Rakiq. Ky veprim i njëanshëm sipas tij, do të bëhet në 5-vjetorin e nënshkrimit të marrëveshjes së Brukselit, ku Prishtina dhe Beogradi u dakorduan që ta themelojnë asociacionin e komunave me shumicë serbe, bazë e së cilës është marrëveshja për normalizimin e raporteve Kosovë-Serbi e 19 prillit të të vitit 2015.

Haradinaj nuk do të japë dorëheqjen

Kryeministri i Kosovës, Ramush Haradinaj, që sot mblodhi Këshillin e Sigurisë të Kosovës, tha se ai nuk do të japë dorëheqje nga posti i tij, pavarësisht vendimit të listës Srpska që të dal nga qeveria. “Parlamenti është i përbërë prej shumë grupeve parlamentare. Lista Serbe është partner. Kemi pas partneritet të mirëfilltë. Veprimi i djeshëm s’ishte i drejtuar kundër serbëve të Kosovës e as komunitetit politik në Kosovë, pos për ata që kanë shkelur ligjin. Është procedurë standarde.

Kosovo Anhänger begrüßen Tomislav Nikolic in Gracanica (Getty Images/AFP/A. Nimani)

Është e pakuptueshme marrja e këtij vendimi, sepse është zbatuar ligji. Ka pas rast kur në emër të ligjit janë tërhequr zvarrë liderë. Dorëheqje s’e kam plan me dhënë. Do të vazhdoj punën. Nuk kam fjalë për ata që hyjnë e dalin”, tha Ramush Haradinaj. Ai tha se vendimi i listës Srpska nuk është në interes të serbëve të Kosovës dhe shpreson se lista Srpska do të tërhiqet nga vendimi për tu larguar nga qeveria./dw/

Molla e sherrit 

Në ditën kur policia e Kosovës arrestoi për hyrje ilegale në Kosovë shefin e zyrës për Kosovën në qeverinë e Serbisë, Marko Gjuriq, presidenti i Kosovës, Hashim Thaçi, kërkoi nga qeveria e Kosovës që ta nisë punën për themelimin e asociacionit të komunave me shumicë serbe. Kërkesa e Presidentit Thaci që Prishtina zyrtare të nisë punën në themelimin e asociacionit, erdhi vetëm një ditë pas takimit të tij në Bruksel me Presidentin e Serbisë, Aleksandër Vuciq. Ky i fundit vazhdimisht e ka akuzuar Prishtinën zyrtare për si thotë se “qëllimisht nuk po do ta themelojë asociacionin e komunave serbe në Kosovë”.

Sidoqoftë, vendimi që lista Srpska të dal nga qeveria e Kosovës erdhi pas arrestimit të djeshëm nga policia e Kosovës në veri të Mitrovicës të shefit të zyrës për Kosovës në qeverinë e Serbisë, Marko Gjuriq. Qeveria e Kosovës e udhëhequr nga Ramush Haradinaj është në koalicion me Partinë Demokratike të Kosovës dhe listën Srpska që të gjithë së bashku në parlament i bëjnë 62 vota. Tash me vendimin e listës Srpska që të del nga koalicioni qeverisës, qeveria e zotit Haradinaj e ka të vështirë të marr besimin e deputetëve të parlamentit të Kosovës. Kjo situatë sipas analistëve vendin mund ta qojë në zgjedhje të jashtzakonshme, apo rikonfigurim të qeverisë.

Please follow and like us: