Obama: Sanksionet ndaj Rusisë do vazhdojnë
Presidenti amerikan, Brack Obama, tha sot se ai dhe kancelarja gjermane, Angela Merkel, janë pajtuar që sanksionet ndaj Rusisë, që kanë lidhje me Ukrainën, duhet të tërhiqen vetëm në rast se Moska vepron në përputhje me marrëveshjen për t’i dhënë fund luftimeve ndërmjet forcave të Kievit dhe seperatistëve të përkrahur nga Rusia.
“Sanksionet ndaj Rusisë duhet dhe mund të tërhiqen vetëm nëse Rusia vepron në pajtueshmëri me marrëveshjen paqësore të Minskut”, ka thënë Obama sot, gjatë një konference për media të mbajtur në Hanover, pas takimit me kancelaren Merkel.
Merkel tha se armëpushimi nuk është i qëndrueshëm dhe se ajo dhe Obama kanë diskutuar rreth zbatimit të marrëveshjes së Minskut, të shkurtit të vitit 2015, e cila synon përfundimin e konfliktit në lindje të Ukrainës, ku mbetën të vrarë më shumë se 9,000 vetë që nga prilli i vitit 2014.
“Ende nuk kemi një armëpushim të qëndrueshëm dhe ne duhet të përparojmë në procesin politik, prandaj kemi diskutuar në hollësi hapat e ardhshëm të nevojshëm”, tha kancelarja Merkel.
Obama arriti në Gjermani më herët gjatë ditës, për t’i dhënë një shtytje një pakti të ri tregtar ndërmjet SHBA-ve dhe BE-së, si dhe të marrë pjesë nesër në një samit me liderët kryesorë evropian.
Shtëpia e Bardhë tha se samiti me kancelaren Merkel dhe liderët e Francës, Britanisë dhe Italisë, do të adresojë edhe përpjekjet antiterroriste pas sulmeve në Paris e Bruksel, luftën kundër Shtetit Islamik në Irak e Siri, krizën e migrantëve në Evropë dhe gjendjen në Libi.
Duke folur në konferencën me gazetarë, Obama u bëri thirrje palëve në konflikt në Siri që t’u kthehen bisedimeve të paqes dhe të “rivendosin” armëpushimin, ndërsa mbrojti refuzimin e idesë për krjimin e një zonë të sigurisë në Siri.
“Kam biseduar me presidentin rus Vladimir Putin më herët gjatë javës në përpjekje për t’u siguruar se mund të rivendosim ndërprerjen e armiqësive”, tha presidenti Obama.
Më herët gjatë ditës, Obama tha se beson që territoret e kontrolluara nga IS-i mund të zvogëlohen ngadalë dhe ai mund të dëbohet nga fortesat e tij si Mosuli në Irak dhe Raqqa në Siri.
Shtetet e Bashkuara udhëheqin koalicionin që po bombardon grupin Shteti Islamik në Irak dhe Siri.
Obama tha gjithashtu se do të ishte gabim që Shtetet e Bashkuara, Britania ose shtetet e tjera perëndimore të përdorin trupat tokësore për të përmbysur presidentin sirian Bashar al Assad, një aleat i patundur i Kremlinit.
Në vend të kësaj, tha ai, shtetet perëndimore mund të ushtrojnë trysni ndërkombëtare mbi palët tjera, përfshirë Iranin dhe Rusinë që të ndihmojnë tranzicionin në Siri.