Albspirit

Media/News/Publishing

Turqia do blejë raketa nga Rusia, SHBA: Do përballet me sanksione

Turqia ka anashkaluar një paralajmërim të Sekretarit amerikan të Shtetit, Mike Pompeo për të mos blerë sistem raketor të mbrojtjes S-400 nga Rusia, duke thënë se marrëveshja tashmë është kryer dhe nuk ka kthim.

Gjatë një takimi të NATO-s në Bruksel, Pompeo i ka thënë homologut të tij turk se Shtetet e Bashkuara janë të shqetësuara lidhur me vendimin e Ankarasë për të blerë sistem të mbrojtjes raketore nga Rusia, të cilat nuk përkojnë me sistemet e NATO-s.

Zyrtarët amerikanë, po ashtu kanë thënë se Pompeo ka paralajmëruar Turqinë se shtetet që blejnë sisteme të tilla nga Rusia rrezikojnë të përballen me sanksione të reja, të llojit që SHBA-ja ka vënë ndaj Rusisë, duke i goditur industrinë ushtarake dhe atë të mbrojtjes.

Mirëpo ministri i Jashtëm turk, Mevlut Cavusoglu, ka thënë për mediat se blerja e sistemit të mbrojtjes është nënshkruar në muajin dhjetor dhe tani është punë e kryer.

Ai ka thënë se Rusia po përshpejton procesin për dërgimin e sistemit të mbrojtjes në Turqi.

“Ne kemi kompletuar procesin S-400. Ajo është punë e kryer”, ka thënë ai duke shtuar se Turqia nuk do të zmbraspet nga kërcënimi për sanksione.

Please follow and like us: