Reshat Kripa: Mirserdhe Mid-hat Bej Frashëri!
Në vazhdim të një shkrimi
Në vazhdim të shkrimit “Medet, s’ke një shtatore!” botuar në mediat online disa ditë më parë, kushtuar vendimit të Këshillit të Ministrave për sjelljen e eshtrave të “Apostullit të Shqiptarizmës”, Mid’hat Frashërit, në atdhe po ribotoj një shkrim tjetër botuar tetë vjet më parë, më 25 mars 2010, me rastin e një konference shkencore, organizuar nga Partia e Ballit Kombëtar Demokrat, kushtuar 130 vjetorit të lindjes së ketij dishepulli. Kjo për t\i treguar kryeministrit se më parë se të sillen eshtrat në Shqipëri duhen marrë vendime të tjera që të pastrojnë baltën e hedhur mbi këtë figurë madhore vite e vite me rradhë nga komunistët dhe që ende vihet re në shumë personalitete të ditëve tona, vendime që tregojnë vullnetin e mirë për reabilitimin e kësaj figure duke i dhënë vendin që i takon në pidestalin e figurave të shquara të kombit shqiptar.
Lexojeni dhe gjykoni
Në 130 vjetorin e lindjes
Mirserdhe Mid-hat Bej Frashëri
Kishim vite që të prisnim Mit’hat Bej. Ishim ne, nacionalistët që të prisnim. Nuk kishim luftuar duke thirrur emrin tënd. Nuk kishim rënë nën emrin tënd. Po të pranonim këtë do të ishim servilë dhe hipokritë, si komunistët, që çdo gjë e bënin për udhëheqësin e tyre, duke harruar atdheun. Ne luftuam dhe ramë për Shqipërinë, për atdheun tonë të shtrenjtë. Natyrisht ti ishe një nga inspiratorët e saj dhe na pranove kështu siç ishim.
Mirserdhe Mid’hat Bej!
Ti erdhe përsëri në atdhe. Shumë u munduan të të pengonin. Shumë u munduan të të diskriminonin. Dhe jo pak, por për gati shtatëdhjetë vjet. Megjithatë nuk ia arritën. Ti u lartësove si një Promete, ndarsa ata u fundosën në llumin që kishin përgatitur vetë. Dhe nuk kishte se si të ndodhte ndryshe. Një jetë e tërë në shërbim të kombit nuk mund të hidhej poshtë me një të rënë të lapsit. Këtë u munduan të bëjnë pseudohistorianët servilë, por nuk mundën ta realizojnë. Ti i shpërtheve dyert e errësirës komuniste dhe dole në dritën e demokracisë, asaj demokracie së cilës i kishe kushtuar jetën.
Mirserdhe Mid’hat Bej!
Ti nuk je më midis nesh që të na këshillosh me fjalën tënde të ëmbël. Por ne e ndiejmë zërin tënd të ngrohtë E kemi ndier këtë zë shumë shpejt, vite më parë, në Kongresin e Manastirit, ku ishe kryetar i tij. E kemi ndier në vitet e Shpalljes së Pavarësisë, ku zëri yt ishte dominues mbi të tjerët dhe ku nuk pranoje të bëje kompromis me idealet. E kemi ndier në vitet e republikës dhe mbretërisë shqiptare ku zëri yt ishte violina e parë e politikës shqiptare. E kemi ndier më 4 prill 1929 kur, si asnjë nga burrat e tjerë të këtij vendi, hartoje testamentin me anën e të cilit gjithë pasurinë tënde ia lije shtetit shqiptar, për të ngritur një institucion albanologjik në Tiranë, ashtu si dikur ati yt i nderuar që shiti pasurinë për të shkuar në Berlin, ku do të mbronte të drejtat e kombit shqiptar. Por në një shkallë më të lartë e ndiem zërin tënd në vitet e pushtimit nazi-fashist, kur që në ditët e para të tij ishe ti dhe shokët e tu ata që do të hartonin programin e asaj lëvizjeje të madhe nacionaliste, që më vonë do të merrte emrin
“Balli Kombëtar”. Ti ishe me të vërtetë balli i këtij kombi.
Mirserdhe Mid’hat Bej!
Kemi njëzetë vjet që të presim. Kemi njëzetë vjet që presim që në tekstet shkollore të shkruhet emri yt ashtu siç i takon, që fëmijtë tanë të mos helmohen më me propagandën e vjetër, por të mësojnë të vërtetën për ty dhe idealet e tua. Por, për fat të keq, ti po kthehe me shumë vonesë. U ktheve tri vjet më parë, kur Presidenti i Republikës me propozimin e Kryetares së Kuvendit të Shqipërisë , të dha dekoratën e lartë. Ju faleminderit zoti President! Ju faleminderit zonja Kryetare e Kuvendit të Shqipërisë. Ju nuk nderuat vetëm simbolin e Shqipërisë. Ju nderuat veten tuaj dhe nëpërmjet jush, të gjithë ne nacionalistët shqiptarë.
Por në mënyrë madhështore ti u ktheve në qytetin tënd, në Përmetin e bukur, që pati meritën të të jepte titullin më të lartë, “Qytetar Nderi” i tij. Atje ti u ringjalle përsëri. Zërat e atyre vajzave të reja dhe këngët e grupeve artistike të ngritën nga vendi ku pushoje dhe të sollën në trojet ku kishe lindur. Dhe zëri yt kumboi fuqishëm në ato troje, si dikur kur mësoje dishepujt e tu.
Mirserdhe Mid’hat Bej!
Ti u ktheve, por unë e ndiej se zemra jote është ende e thyer. Të më falin organizatorët e asaj ceremonie, por e ndjej se zemra jote është e thyer edhe për disa aspekte të saj. Ajo u zhvillua në sheshin e qytetit, pranë lapidarit të Luftës Nacional-Çlirimtare. Pas portretit tënd ishte përmendorja e partizanit në ballin e të cilit shkëlqente ylli i kuq. Pak më lart ishte stema e komunizmit, me një yll tjetër të kuq. Mua më dukej sikur gjembat e atij ylli vazhdonin të nguleshin në zemrën e “Apostullit të Shqiptarizmës”. Të më falin familjarët e dëshmorëve të luftës Nacional-Çlirimtare për sa po shkruaj. Por dua t’i pyes:
-Përse u vranë bijtë e tyre, për partinë komuniste apo për atdheun?
Nëse u vranë për partinë komuniste, atëhere le ta mbajnë yllin e kuq në ballë, por nëse kanë rënë për atdheun, atëhere ai yll nuk duhet të ekzistojë. Ai yll nuk duhet të ekzistojë as në varrezat e dëshmorëve të kombit, se ekzistenca e tij është mohim i luftës së këtij populli për lirinë e Shqipërisë, është përçmim i kontributit të të rënëve për liri. Ndaj them se zemra jote Mit’hat Bej është akoma e thyer.
Mirserdhe Mid’hat Bej!
Ti u ktheve, por unë e ndiej se nuk je kthyer plotësisht. Do të doja të ishe në çdo qytet të Shqipërisë. Do të doja të të shikoja nëpër libra dhe gazeta, nëpër radio dhe televizione. Por vendin tënd e kanë zënë ata që zhytën këtë vend në errësirën mesjetare. Do të doja të të shikoja të përjetësoheshe në përmendore në një nga sheshet kryesore të kryeqytetit. Do të doja që emrin tënd ta mbanin institucionet më të rëndësishme të vendit. Në tetorin e vitit të kaluar u mbushen 60 vjet që t’i je ndarë nga gjiri ynë. Në këtë jubile do të doja që eshtrat e tua të lënduara të preheshin më në fund në atdhe. Mjaft lëngove në dhe të huaj. Megjithse ai vend të priti dhe të respektoi, vendi yt është Shqipëria. Për atë u sakrifikove dhe ajo duhet të të japë shtratin e prehjes tënde. Ishte detyra e shtetit shqiptar t’i kishte sjellë eshtrat e tua në atdhe dhe t’u kishte dhënë një vend dinjitoz pranë atit tuaj, Abdylit të madh dhe xhaxhallarëve të shquar, Naimit e Samiut. A do ta bëjë vallë në të ardhmen? Nuk e di. Është në nderin e saj një gjë e tillë. Këtë kërkesë e bëjë unë, një qytetar i thjeshtë.
Mirserdhe Mid’hat Bej!
Xhaxhaj yt, i paharruari Naim Frashëri, shkroi shumë poezi të pavdekshme. Më lejo të citoj disa vargje të tij, të cilat mendoj se janë shkruar pikërisht për figurën tënde:
Kur më shihni që jam tretur,
Mos pandehni se kam vdekur,
Jam i gjallë e jam në jetë,
Jam në dritë të vërtetë.
Mirserdhe Mid’hat Bej Frashëri!