Parandalohet vrasja e gruas nga thethiani Kolë Pisha
Parandalohet përshkallëzimi i një konflikti brenda familjes, ku burri kishte kërcënuar të shoqen me armë.
Pas një telefonate të marrë në sallën operative për një konflikt familjar, ku bashkëshorti kërcënonte bashkëshorten për ta vrarë, nga ndërhyrja e uniformave blu u vu në pranga Kolë Pisha, banues në Theth, Shkodër.
Arrestimi i tij u bë pasi ishte konfliktuar me bashkëshorten në orët e vona të mbrëmjes së të premtes, duke e kanosur atë për ta vrarë.
Sakaq policia gjatë kontrollit të ushtruar në banesën e çiftit gjet dhe sekuestroi në cilësinë e provës materiale dy pushkë, dhe municion luftarak.
Gjithashtu po në Theth, pas informacioneve të marra në rrugë operative se një shtetas po qarkullonte me armë zjarri, policia është vënë menjëherë në ndjekje të tij.
D.Z., 22 vjeç, banues ne fshatin Theth, sapo ka parë që ndiqej nga policia ka hedhur armën kallashnikov dhe duke shfrytëzuar terrenin e thyer dhe errësirën ka mundur të largohet , i cili është shpallur në kërkim dhe vijon puna për kapjen e tij.
Arma e zjarrit është sekuestruar në cilësinë e provës materiale, ndërkohë që materialet iu referuan Prokurorisë së Shkodrës, për ndjekje të mëtejshme. /a.y/noa.al