Fushata e leximit, Kumbaro provokon me “Don’t fuck them…”!
“Ne duhet t’i bëjmë sërish librat të jenë cool. Nëse shkon në shtëpinë e dikujt që s’ka libra, mos bëj seks me të. Mos e lejo atë të të eksplorojë ty para se të eksplorojë universet sekrete të librit”.
Ky status i Ministres së Kulturës Mirela Kumbaro në “Twitter”, dy ditë më parë ka ndezur debatet sot në rrjetet sociale dhe portale.
Kumbaro ka zgjedhur këtë shprehje provokuese për t’iu drejtuar të rinjve vetëm pak ditë pasi hapi zyrtarisht Fushatën Kombëtare të Leximit nga qyteti i Kukësit.
Por kjo shprehje nuk është pritur mirë në rrjetet sociale. Nuk kanë qenë të paktë ata që e kanë “kryqëzuar” ministren duke e quajtur gjuhën e zgjedhur prej saj si “jo të denjë”.
Muaji nëntor konsiderohet nga Ministria e Kulturës dhe si muaji kombëtar i leximit. Këtë vit pjesë e fushatës do të jenë jo vetëm shkollat por edhe kopshtet edhe çerdhet duke e parë leximin si një nevojë emergjente duke nisur dhe nga statistikat e fundit të bëra publike nga INSTAT.
Menjëherë pas postimit skandaloz dhe me fjalor fyes të ministres Kumbaro, ka reaguar edhe deputetja demokrate, Albana Vokshi.
“Lëvizja për të kuptuar se kush e qeveris Shqipërinë…! Sa kulturë përcjell, sidomos te fëmijët e të rinjtë, kjo thirrje e Ministres së Kulturës???”, – shkruan Vokshi.