Albspirit

Media/News/Publishing

Cikël poetik nga Mark Simoni‎

 

TI QAVE
Frederik Rreshpjes

Motivet me shirat e verbër të Shirokës,
Mjegullat hollake të shkurtit,
Dhe gjurmët vocërrake të të dashurës, që s’e pate kurrë,
(Krejt ashtu, si macet e vogëla,
që lodrojnë mbi tjegullat e shtëpive të vjetra),
Kërcyen e ranë brenda teje,
Ranë në pellgun e madh të një ofshame,
Bash atje,
Ku klithte dhe përplitej dëshira jote për ta shkruar një këngë.

Nuk mundeshe më,
Dhe qave.

E krejt i drobitur, lodhur prej motivesh,
E tunde dorën tënde të zbehtë,
(Si flaka e një kandili, që shuhet mesnatës ngadalë),
Dhe thirre vdekjen.

E thirre,
Që, në gjoksin që s’të këndonte dot më,
Vdekja të të vinte një kyq,
Mbi shpinën e kërrusur, (mbështjellë me kapotën e vjetër),
Një kryq.

Në qiellin e cfilitur të shtatit tënd,
U mbyll njëherë e përgjithmonë,
Shtegtimi pa krahë
I lirikës së fundit.

Ferrat e idhëta, rreth vorrit tënd,
Natën
Dëgjojnë një zë lutje.

NATË

Lirikë

 

Poshtë strehës së qiellit ikën një tufë krillash,
Në parkun mbetur shkret, një flaut bie në vetmi,
Unë harruar rrugësh, me duar në xhepa,
Bredh nëpër natë, fishkëllej për ty.

Fle vjeshta mbi telat e teshave që thahen,
Zogjtë dremisin në folenë e një përralle të vjetër,
Ëndërrat përkunden si varkat në molin e vogël,
Presin ty, që të zgjohesh patjetër.

XHAKETA

Tashmë xhaketës sime i janë holluar brrylat,
Pushi në supe ngadalë i ka rënë,
Ndjej se akoma nga rruga i ka mbetur pak shi,
Nga udha që kam bërë
Për të mbërritur tek ti.

Nuk kam pyetur lajmëtarët për të të gjetur,
Se e ndjeja që ti do të shfaqeshe diku,
Mes pjerrtësisë së supeve të njerëzve në rrugën e madhe,
Do dukeshe mes ëndrrave të mesnatës,
Do dalloheshe nga përtej avullit të xhamit,
Duke udhëtuar drejt meje, (ngadalë, si në përrallë),
Stolisur me gjethe të verdha vjeshte,
Në supe dhe në ballë.

Ndaj me xhaketën e holluar pak në brryla,
Që i vjen disi një aromë shi,
Kam rrugëtuar në udhën e gjatë
Për te ti.

E dinja se ti, një ditë, ti, duke shtyrë lehtë mijra krahë njerëzish,
Kishe për të më gjetur dikund,
Dhe në mënyrën se si do të vrapoje drejt meje,
Do t’a kuptoja se ç’jam për ty unë.

Që atëherë e kam ndjerë se xhaketës tënde vajzërore,
Do t’i liroheshin pullat,
Nga era e fortë e rrugës
Së ardhjes parreshtur drejt meje.
***
E heq xhaketën dhe e var në gozhdën e shtrembër të një vetëtime,
Në xhepat e mëdhenj të saj hyjnë e dalin mjegull dhe re,
Ne ikim rrugës së madhe krejt të përqafuar,
Ne ikim nëpër vjeshtë.

NDARJA ME TY

Ti mbete përtej hirit të ndarjes,
ashtu siç mbeti poshtë llavës së Santorinos
qytetërimi minoik.

Tashti kujtimet,
si arkeologe të çuditshme,
(me gishtrinjtë e tyre delikatë)
gërmojnë në hapësirën e ditënetëve tona,
duke nxjerrë nga andej, me kujdes
copra bisedash,
copra dashurish,
copra puthjesh,
Tashmë
krejt të pluhurosura.

Please follow and like us: