Albspirit

Media/News/Publishing

Sandër Lleshi heq dorë nga karriera ushtarake

Zv/ministri i Brendshëm Sandër Lleshi mësohet se ka hequr dorë nga karriera ushtarake, me qëllim që të marrë dekretimin si ministër nga presidenti Meta. Kryeministri Edi Rama ka publikuar letrën që zoti Lleshaj i ka dërguar presidentit Meta. Në letrën tre faqe që mban datën 12 nëntor, Lleshaj thotë se pranoi propozimin e kryeministrit me devotshmëri dhe përgjegjësi ligjore  dhe se heq dorë nga karriera e tij ushtarake për të mbajtur detyrën e ministrit të brendshëm me të gjitha vështirësitë dhe angazhimin profesional që mbart ky funksion, sidomos në këtë moment historik.

Pjese nga letra

Zoti President,

Në gjithë këto vite të karrierës time si ushtarak kam shërbyer me dinjitet dhe devotshmëri në zbatimin e detyrimeve ligjore, morale si ushtarak dhe qytetar i Republikës së Shqipërisë. Në funksionin tim politik, në fillim si këshilltar i kryeministrit dhe tashmë si zv/ ministër, gjithashtu kam zbatuar me përpikmëri detyrimet ligjore, etike, të funksionarit shtetëror dhe detyrimet e mia si qytetar i Republikës së Shqipërisë. Me devotshmëri dhe përgjegjësi ligjore e qytetare pranova propozimin e kryeministrit për të mbajtur detyrën e ministrit të brendshëm me të gjitha vështirësitë dhe angazhimin profesional që mbart ky funksion, sidomos në këtë moment historik. Me pranimin e këtij propozimi, i cili lidhet në mënyrë të pandashme me mos ushtrimin e funksionit të ushtarakut, unë kam vendosur edhe heqjen dorë nga karriera ime ushtarake, pavarësisht nga mundësia që vendimi i Gjykatës më ka dhënë. Konsideroj se zgjidhja e ngërçit kushtetues dhe emërimi me sukses i ministrit të Brendshëm, pavarësisht emrit të përveçëm të ministrit, është një interes madhor publik që prevalon mbi interesat e mia individuale”. Me këtë përgjegjshmëri deklaroi me anë të kësaj letre se në cilësinë e gjyqëfituesit me institucionin që ju drejtoni dhe Ministrinë e Mbrojtjes, heq dorë plotësisht nga të gjitha të drejtat që burojnë nga zbatimi  i vendimit numër 5137, datë 7.12.2017 i Gjykatës Administrative të Apelit. Një njoftim të njëjtë zyrtar Lleshaj i ka dërguar edhe ministrisë së Mbrojtjes, në cilësinë e palës në gjykim, që në bazë të shkronjës “b” të nenit 616 të K.Pr. C të pushojë ekzekutimin e vendimit nr  2265 datë 23.05.2017 të gjykatës Administrative të shkallës së parë Tiranë, ndryshuar me vendimin nr 5137, datë 7.12.2017 të Gjykatës Administrative të Apelit. Në intepretimin tim nuk ka pengesë ligjore për dekretimin tim nga ana Juaj, por mirëpres çfarëdolloj akti administrativ nga Juaj, apo e çdo organi përgjegjës të parashikuar nga ligji që do të qartësonte dhe do të vendoste pa asnjë keqkuptim se nuk jam më ushtarak aktiv, por i liruar nga shërbimi aktiv ushtarak me qëllim që të përmbushet funksioni i rëndësishme kushtetues i emërimit të Ministrit të Brendshëm. Lutem marrjen në konsideratë të kërkesës për heqjen dorë nga të drejtat që burojnë prej vendimit të sipërpërmendur.

Please follow and like us: