Merkel përkrah Macronin për krijim të ushtrisë evropiane
Kancelarja gjermane, Angela Merkel ka bërë thirrje për një formim eventual të ushtrisë evropiane, duke përkrahur propozimin e presidentit francez, Emmanuel Macron, gjë që pati zemëruar presidentin amerikan, Donald Trump. “Nëse shohim zhvillimet e viteve të fundit, ajo çfarë është vërtetë e rëndësishme është që ne duhet të punojmë drejt një vizioni që një ditë të krijojmë një ushtri të vërtetë evropiane”, ka thënë Merkel në një fjalim para Parlamentit Evropian në Strasburg më 13 nëntor. “Një ushtri e përbashkët evropiane duhet t’i tregojë botës se nuk do të ketë më kurrë luftë në mes të shteteve evropiane”, ka thënë ajo. Merkel ka thënë se ajo se ajo parasheh një ushtri evropiane që do të funksiononte paralelisht me NATO-n dhe nën Këshillin e Sugurimit të Evropës, duke centralizuar strukturën e mbrojtjes së kontinentit. “Koha kur ne mund t’i besojmë dikujt pa kushte tanimë ka kaluar. Kjo nënkupton vetëm një gjë: Ne si evropianë kemi gatishmëri për të marrë fatin tonë në duart tona nëse dëshirojmë të mbijetojmë si komunitet”, ka thënë Merkel. Komentet e saj kanë ardhur një javë pasi Macron ka bërë thirrje për një ushtri evropiane që do t’i siguronte Evropës më shumë pavarësi nga Shtetet e Bashkuara, si dhe do ta mbronte kontinentin kundër agresorëve të mundshëm siç janë Rusia dhe Kina. Komentet e tij kanë nxitur përgjigjje të ashpër nga presidenti amerikan, Donlad Trump dhe kanë rritur thirrjet e Trumpit ndaj shteteve evropiane për të shtuar kontributet e tij në NATO. Më 13 nëntor, pasi është kthyer nga vizita në Francë, ku kanë nisur përplasjet e tij me Macronin, Trump ka diskutuar për këtë çështje sërish në Twitter. “Emmanuel Macron propozon krijimin e ushtrisë për të mbrojtur Evropën kundër SHBA-së, Kinës dhe Rusisë. Mirëpo ka qenë Gjermania në Luftën e Parë dhe Dytë Botërore? Si ka funksionuar ajo për Francën? Ata kanë filluar të mësojnë gjuhën gjermane në Paris para se të nisej SHBA-ja. Paguani për NATO”, ka thënë Trump.