Zhvillohet ceremonia e rivarrimit, eshtrat e Mid’hat Frashërit prehen në atdhe
Sot u zhvillua në parkun e liqenit Artificial në Tiranë, ceremonia e rivarrimit të eshtrave të Mid’hat Frashërit. Në ceremoni morën pjesë figura të njohura, studiues, historianë, personalitete të artit, autoriteteve shtetërore dhe familjarëve. Arkëmorti i figurës më të keqkuptuar të historisë që prej 3 tetorit 1949 kur vdiq në një hotel të New York, prehej në SHBA, mbërriti mëngjesin e sotëm në aeroportin e Rinasit. Eshtrat e patriotit Mid’hat Frashëri do të prehen pranë vëllezërve Frashëri, në Parkun Artificial të Liqenit në Tiranë. Me ceremoninë e sotme amaneti i tij u përmbush. Rreth 69 vjet pas vdekjes, eshtrat e shkrimtarit, politikanit, diplomatit, albanologut Mid’hat Frashëri do të prehen në tokën shqiptare. Për 3 orë, kushdo që e vlerësoi njeriun që drejtoi Kongresin e Manastirit dhe ideoi dhe drejtoi Partinë e Ballit Kombëtar, kreu homazhe ne Akademinë e Shkencave. Djali i Abdyl Frashërit dhe nipi i Sami dhe Naim Frashërit, do të prehet pranë varreve të 3 Frashëllinjve të tjerë në parkun e Liqenit Artificial. Në fjalën e hapjes në këtë ceremoni studiuesi Aurel Plasari e cilësoi Mid’hat Frashëri si një ndër figurat e shquara të kulturës shqiptare, me kontribute të çmuara në shumë fusha. Edi Rama renditi në fjalimin e tij krijimtarinë dhe pasurinë artistike, politike e intelektuale që i la Mid’hat Frashëri i njohur ndryshe dhe si Lumo Skëndo, këtij vendi. Kryeministri theksoi se kthimi i eshtrave të Mid’hat Frashërit nuk i merr akujt pjesën e tij të historisë dhe aq më pak secilit prej nesh aftësinë e arsyetimit apo gjykimit. “Një varr nuk e mbulon kurdoherë një njeri të vdekur, shumë herë jeta e vërtetë, rrojtja shpirtërore fillon kur mbaron fryma, nuk ka të bëjë zhdukja e trupit. Nëqoftëse ideja rron, ku ajo ide ngjall njëmijë shpresa dhe entuziazëm tek të tjerët dhe bashkë këto janë jetë e vërtetë”, u shpreh Rama. Ish-Kryeministri Sali Berisha pas homazheve nderoi figurën e Frashërit si njeriun që historinë nuk e ka pasur në anën e vetë. “Ai sot vjen e pushon nën qiellin dhe në tokën e atdheut të tij, i nderuar nga mbarë shqiptarët, kurse ata që urdhëruan eliminimin e tij fizik, kanë përfunduar në koshin e plehrave të historisë. Eshte fjala direkt për Enver Hoxhën. Nderim të madh këtij burri të shquar të kombit tonë”. Edhe kryetari i demokratëve ka ndarë vlerësimin e tij për Frashërin. “Është një nga ditët e rralla që qëndrojmë përpara një arkëmorti me një sens krenarie. Kënaqësi që eshtrat e këtij burri të madh, patrioti të rrallë që ka bërë kaq shumë për Shqipërinë, do të prehen sipas amanetit të tij. Dua të falënderoj të gjitha ata që e bënë këtë të mundur. Një shembull që duhet të ndiqet edhe nga shumë të tjerë”. Kërkesa për kthimin eshtrave të Mid’hat Frashërit në Shqipëri erdhi një vit më parë nga fondacioni Lumo Skëndo dhe profesor Uran Butka.