Në shqip “SHIU DHE NOVELA TË TJERA”
Vjen për herë të parë në shqip “SHIU DHE NOVELA TË TJERA”, një përmbledhje me novela nga WILLIAM SOMERSET MAUGHAM
Titulli: Shiu dhe novela të tjera
Autori: William Somerset Maugham
Përkthyes: Diana Culi, Piro Misha
Numri i faqeve: 256 fq
Çmimi: 850 lekë
Botues: Botimet IDK
ISBN: 978-9928-136-62-6
Për herë të parë vjen në shqip një përmbledhje me novela nga William Somerset Maugham, i konsideruar një prej mjeshtrave të prozës së shkurtër. Në të përfshihen disa prej novelave të tij më të mirënjohura, duke nisur që prej së famshmes “Shiu”, deri te krijime të tjera po aq të njohura, si “Gruaja e kolonelit”, “Tradhtari”, “Fara e huaj”, “Anija e zemërimit”, “Sakrestani”, etj.
Një dekor që zhvendoset nga Londra apo Zvicra e periudhës së mes dy luftrave, në vende të tilla ekzotike, si ato të Azisë Juglindore apo ishujt e largët të detrave të jugut, por, ajo që është më e rëndësishmja, një galeri personazhesh të paharrueshëm që të mbeten të ngulitur në mendje përjetë, nga pena e një prej njohësve më të mirë të kompleksitetit të natyrës njerëzore.
William Somerset Maugham (1874-1965). I diplomuar për filozofi e mjekësi, ishte mjek me profesion, më pas dhe agjent i shërbimit të fshehtë anglez. Por, mbi të gjitha, W. S. Maugham qe një udhëtar i palodhur që shkeli e jetoi në çdo cep të botës, një përvojë kjo jetësore të cilën e vuri plotësisht në shërbim të krijimtarisë së tij të gjerë. Një prej autorëve më popullorë të shekullit të XX, të cilin shpesh e kanë quajtur dhe Mopasani anglez. Ai shkroi më se 20 romane, 120 novela, si dhe shumë drama. Shumë prej veprave të tij janë bërë filma.