Ruben Avxhiu: Një fitore për lirinë e medias, një moment reflektimi për përgjegjësinë e saj
Një gjykatë amerikane vendosi dje që Shtëpia e Bardhë nuk mund t’ia anulonte korrespondentit kryesor të rrjetit televizv CNN hyrjen në ndërtesën kryesore qeveritare amerikane.
Pak ditë më parë, Jim Acosta kishte refuzuar të lëshonte mikrofonin nga dora pa marrë një përgjigje të plotë nga Presidenti Donald Trump.
Shumë kritikë të presidentit e duartrokitën vendosmërinë e reporterit për të vendosur përpara përgjegjësisë njeriun më të fuqishëm të vendit, që sipas tyre mendon se është përmbi ligjin si dhe se mund të gënjejë pa ndonjë pasojë.
Shtëpia e Bardhë nga ana e saj reagoi pas incidentit, duke thënë se Presidenti Trump i ishte përgjigjur tre-katër pyetjeve tashmë nga ky gazetar dhe e vetmja arsye se pse ai nuk pranonte të ulej ishte se po kërkonte të bëhej protagonist i një skene të panevojshme dramatike. Sipas Shtëpisë së Bardhë, Acosta u tregua i padrejtë ndaj kolegëve të tij duke marrë më shumë kohë sesa i takon një gazetari. Për më tepër Shtëpia e Bardhë e akuzoi se kishte ushtruar dhunë ndaj vajzës së re stazhiere që qarkullon mikrofonin në sallë te gazetarët që kanë pyetjen e radhës.
Acosta, i cli është bërë i njohur në këto dy vitet e fundit për shkak të përplasjeve nëpër konferenca shtypi me zëdhënësat e Shtëpisë së Bardhë, i hodhi poshtë akuzat se pengoi me forcë vajzën që t’i merrte mikrofonin nga dora. Disa vëzhgues akuzuan Shtëpinë e Bardhë se kishte përhapur me qëllim një version të redaktuar të videos nga konferenca për të mashtruar publikun për sjelljen e gazetarit.
Shtëpia e Bardhë ia hoqi kredencialet gazetarit në fjalë duke ia ndaluar hyrjen në Shtëpinë e Bardhë. Akuzave me cënim të lirisë së medias, Shtëpia e Bardhë iu përgjigj se CNN tashmë ka leje hyrjeje për mbi 100 gazetarë, kameramanë e punonjës të tjerë në Shtëpinë e Bardhë. Përjashtim po bëhej me dikë që nuk respektonte rregullat e sjelljes në mjediset e konferencave të medias.
Nuk ishte ndonjë argument shumë i ndërlikuar. Është një nga rregullat e arta të gazetarisë klasike amerikane që reporter nuk duhet të kthehet vetë në lajm. Po ashtu një nga problemet kryesore të gazetarisë së sotme është që ndarja mes reporterit dhe opinionistit po bëhet gjithnjë e më e vogël, ndërkohë që dikur ka qenë një mëkat i pafalshëm.
Reporterët si Jim Acosta kanë mbështetje e popullaritet pikërisht sepse me sjelljen dhe fjalët e tyre nuk i kanë fshehur pikëpamjet e tyre. Në vend të kërkimit të të vërtetës ata kanë marrë rolin e përfaqësuesit dhe artikuluesit të saj. Ata përfaqësojnë në këto konferenca të medias njerëzit e revoltuar me presidentin, kundërshtarët e tij. Kjo mani e disa reporterëve për protagonizëm do të duhej të mjaftonte që jo vetëm publiku e Shtëpia e Bardhë po edhe vetë punëdhënësi i tyre të kërkonte përjashtimin.
Mirëpo, sot, jetojmë në një kohë tjetër, kur popullariteti barazohet me cilësinë, e për më tepër me aftësinë për të mbijetuar në xhunglën që është sot tregu i medias. Pa klikime, vizita, teleshikues e komentues në rrjetet sociale, çdo medium është i dënuar jo vetëm me mungesë vëmendjeje, po me vdekje falimentuese.
Sikur të mos mjaftonin këto, SHBA, historikisht një nga vendet kampione të lirisë së fjalës dhe medias së lirë, ka një president që këmbëngul ta quajë median “armiku i popullit”. Duke përdorur referenca që të kujtojnë regjimet komuniste e naziste të viteve 1930 e më tej, Trump dhe mbështetës të tij kanë një histori të gjatë tashmë të mobilizimit të ndjenjave të turmave kundër gazetarëve që mbulojnë ngjarjet. Kjo sjellje e retorikë është thënë shpesh se do të sjellë tragjedi një ditë. Në fakt, vetëm pak javë ma parë, një seri zarfash me materiale vdekjeprurëse iu dërguan zyrave të CNN-it në SHBA, përveçse disa politikanëve kryesorë demokratë, përfshi edhe ish-presidentëve Obama dhe Clinton.
Në këtë situatë, vendimi i Presidentit Trump për të përjashtuar një gazetar nga rrethi i korrespondentëve të Shtëpisë së Bardhë ka krijuar një dilemë për botën e medias amerikane. Të përkrahte një President në kërkesën e drejtë për etikë sjelljeje në konferenca të medias, apo një koleg të tyrin që akuzonte se po i mbyllej dera në fytyrë se Presidentit nuk i pëlqenin pyetjet e tij.
Ishte domethënëse që media amerikane u rreshtua përkrah kolegut të tyre. Sidomos, që kështu vepruan edhe rrjeti televiziv Fox News, të cilin Trump e ndjek në mënyrë rigoroze si dhe gazeta të tilla konservatore si “Wall Street Journal”. Të gjitha agjensitë ndërkombëtare të lajmeve si dhe gazetat më të mëdha amerikane, “The Washington Post”, “The New York Times” etj, si dhe më tej rrjetet televizive rivale të CNN-it.
“Armiku i popullit” u bashkua në një front për t’u mbrojtur nga rreziku më i madh, një precedent sipas të cilit Presidenti dhe jo Shoqata e Korrespondentëve dhe drejtuesit e medias vendosin se kush duhet të jetë gazetar në Shtëpinë e Bardhë. Një precedent i tillë është një derë e hapur për të përzgjedhur gazetarët sipas preferencave politike e personale.
Historia e medias amerikane është një histori e marrëdhënieve favorizuese dhe diskriminuese mes Shtëpisë së Bardhë dhe gazetarëve. Çdo president ka pasur gazetarët e preferuar dhe ata të cilëve ka preferuar t’ua vonojë apo mohojë informacionin. Pushteti dhe gazetaria nuk duhet të jenë aleatë për hir të mbarëvajtjes së demokracisë. Po edhe duhet të ruajnë marrëdhënie normale pune e bashkëpunimi. Nuk mbahet mend në historinë moderne amerikane kur një president ka qenë kaq cipëhollë për çdo detaj në media. Donald Trump e ka vetë fajin për mërinë që kanë ndaj tij pjesa më e madhe e gazetarëve që ndjekin politikën amerikane. Sa e sa herë i ka entuzismuar mbështetësit e tij duke i shtyrë që të fyejnë e të shfryjnë ndaj korrespondentëve e kameramanëve të dërguar për të mbuluar mitingjet? Këta janë njerëz të punësuar. Ata nuk bëjnë politikat e medias, nuk vendosin për opinionistët dhe janë pjesa më e papaguar dhe e pasigurtë e kompanive të medias. Siguria fizike e shumë prej tyre është vënë në kërcënim sa herë që turma është nxitur të shfryjë kundër tyre. Vetëm pak kohë më parë do të ishte e paimagjinueshme që një president amerikan do të shprehej për median si “armiku i popullit”. 80 vjet me radhë nëpër Europë, Azi e Afrikë është eksperimentuar me urrejtjen ndaj medias e me regjime burrash të fortë që ofrojnë siguri. Shtetet e Bashkuara të Amrikës është vendi që ka besuar te liria e fjalës e demokracia dhe historia e ka shpërblyer.
Në fakt, nuk ka armiqësi më të madhe ndaj popullit sesa t’i mohosh funskionalitetin e medias, një nga mekanizmat e paktë ekzistues për hetimin dhe kontrollin e abuzimeve të pushtetit.
Sigurisht që ka media të njëanshme, abuzive, të shitura, të blera, të hutuara, joprofesioniste. Po ajo që Trump përdor si metodologji e që është parë në të gjitha regjimet populiste të historisë është krijimi i një klime mosbesimi ndaj çdo burimi. Ashtu si në komunizmin e Enver Hoxhës, “njeriu i thjeshtë” di më shumë se çdo profesor, gazetar, apo specialist. Eliminimi i çdo institucioni që qendron mes pushtetit dhe udhëheqësit për të siguruar kultin absolut të këtij të fundit.
Këto krahasime me personazhe e periudha të errëta të historisë që disa i quajnë sigurisht të ekzagjeruara janë çfarë shtyjnë so gazetarët e opinionistët që nuk kanë simpati për kolegë si Jim Acosta apo që në thelb mbështesin shumë nga reformat dhe ligjet e Administratës Trump të solidarizohen me gazetarin dhe jo me Shtëpinë e Bardhë.
Në mënyrë domethënëse, gjykata vendosi gjithashtu që të mbajë anën e gazetarit, i cili u rikthye dje triumfalisht në Shtëpinë e Bardhë.
Po beteja vazhdon. Shtëpia e Bardhë po rishkruan një rregullore të konferencave që do ta bëjnë në të ardhmen të pakthyeshëm nga gjykatat përjashtimet e saj. Mirësjellja është e rëndësishme, po ka dyshime reale që kjo Shtëpi e Bardhë i rishkruan rregullat për arsye politike. Për fat të keq edhe shumë kritikë të saj në media nisen nga preferenca politike.
Kjo fitore e medias do të jetë e përkohshme dhe pak e rëndësishme, nëse nuk shërben edhe si një moment reflektimi për përgjegjësitë e saj. Një formë e bukur solidariteti është treguar kur gazetarët e radhës në vend të pyetjes së tyre, kanë përsëritur pyetjet e kolegëve parafolës të cilëve presidenti ka refuzuar t’iu përgjigjet. Në këtë mënyrë, korrespondenti nuk ka pasur nevojë të mbajë pa lëshuar mikrofonin. Ai ua ka lënë radhën me besim kolegëve. As Jim Acosta e askush tjetër nuk është zgjedhur përfaqësues i medias e aq më pak i popullit. Fitorja e vërtetë është mbrojtja e të vërtetës duke ruajtur profesionalizmin. Sidomos në një epokë të të vërtetave alternative profesionalizmi i medias është thesari më i madh që ka demokracia. Kërcënimi e frika nga populizmi nuk duhet të bëjë gazetarët që ta braktisin për hir të aktivizmit. Është për ironi, ajo që populistët shpresojnë se do të ndodhë./ylliriapress/