Albspirit

Media/News/Publishing

Qerim Vrioni zbulon thesaret e Kolë Macës, fotografit të “pikëllimave”

Dhurata Hamzai

“Emrin e Kolë Macës (diku Niccolo Mazza, italisht e diku tjetër edhe Kolec Maca) e kam hasur fillimisht disa vite më parë në një album fotografik, me pamje të hershme nga qyteti i Vlorës, të botuar nga miku im, arkitekti Pirro Stefa. Ishin vetëm dy foto, njëra dokumentare, funerali i Ismail Qemalit në Vlorë (1919), ndërsa tjetra paraqiste disa gra fshatare të ngarkuara me dru”, shkruan Qerim Vrioni.

Kjo temë e veçantë e grave të munduara nga barra e druve dhe fakti që Kolë Maca (1882-1945)ka punuar si fotograf prej 5 vjetësh në Vlorë, koha kur kulmonin ngjarjet e pavarësisë së Shqipërisë dhe pasojat që rrodhën pas shpalljes së saj, e ka nxitur studiuesin e fotografisë Qerim Vrioni për të gjurmuar ekzemplarët e rrallë të fotove të 1912-s e më pas.

Kështu e ka nisur studiuesi i pasionuar i fotografisë kërkimin e krijimtarisë me autorësinë e Kolë Macës , të cilat tashmë prezantohen në librin më të ri “Pikëllim në një foto të vjetër”. Libri studimor i prezanton fotot e rralla përmes një këndvështrimi dokumentar, historik, etnografik dhe estetik.

“Fatkeqësisht emri i Kolë Macës, jo vetëm para viteve ’90, por edhe 20 vjet pas rrëzimit të diktaturës, nuk ishte përmendur në shtypin shqiptar, sikur të mos kishte jetuar e krijuar fare në këtë vend”, shprehet studiuesi i fotografisë Qerim Vrioni.  Ajo që e ka çuar studiuesin në rrugën e kërkimit të këtij autori të fotografisë shqiptare ka qenë një shkrim i tij, botuar në shtypin shqiptar “dy fotografë shkodranë në Vlorë”, ku përveç Kolë Macës përfshihet edhe Gjon Rrota, i cili kishte punuar si fotograf në Vlorë.

Libri më i ri studimor “Pikëllim në një foto të vjetër”, i studiuesit të fotografisë, Qerim Vrioni na paraqet disa thesare artistike si “Gjon Pali dhe e bija” të realizuar në vitin 1913 në Shkodër nga fotografi Kolë Maca.

“Periudha e realizmit të fotos i takon gjashtë muajve (tetor 1912-prill 1913-s) të Rrethimit të Shkodrës (që atëherë ndodhej nën administrimin ushtarak turk) nga ushtria e Malit të Zi. Qyteti u dorëzua në prill 1913, po vetëm për 2-3 javë sepse me ndërhyrjen e trupave ndërkombëtare, Shkodra i kaloi sërish Shqipërisë dhe në të u ngrit Flamuri Kuq e Zi.”, shkruan Qerim Vrioni.

Ai rrëfen se “Kjo foto është botuar sëpari në një gazetë italiane (La Domenica del Corriere”) të datës 25 maj-1 qershor 1913, në një artikull redaksional me titull: “La fine della Guerra Balcanica”, (Fundi i Luftës Ballkanike). Pak ditë më pas, në qershor 1913, fotoja u botua sërish në Itali, në ballinë dhe në brendësi të librit “L’assedio di Scutari”, (Rrethimi i Shkodrës) të gazetarit italian Gino Berri, korrespondent  shtypi në Shkodër gjatë rrethimit të qytetit”.

Vrioni kujton ndër të tjera se Kolë Maca ka bashkëpunuar me gazetën italiane “La Domenica del Corriere”). Kjo faqe gazete shënon për herë të parë një foto me renditje kohore, ku bëhet fjalë për fundin e luftës ballkanike më 10 maj 1912.

Vrioni pasi ka studiuar rrethanat historike, në të cilat u bë kjo foto, autori i librit “Pikëllim në një foto të vjetër” ka hulumtuar gjatë mbi këtë foto, ai ka gjetur, ndër të tjera, emrin e të plagosurit (Gjon Pali) si dhe fshatin nga është ai (Shllak), por edhe paraqitjen e saj në 2-3 botime të tjera. Po ashtu Qerim Vrioni e analizon foton.

“Gjatë kësaj periudhe në qytet e rrethina pati luftime të ashpra midis sulmuesve dhe mbrojtësve të qytetit me shumë të vrarë e plagosur nga të dy krahët. Njeri prej tyre, sipas shënimeve të gazetës është edhe i plagosuri që paraqitet në foto. Ai është dëmtuar rëndë në kokë e në dorë dhe pranë i qëndron e bija, ndoshta në çastet e fundit të jetës së tij, (siç e përcakton libri i Berri-t)”, shkruan studiuesi.

Qerim Vrioni para se të hyjë në kapitullin ku analizohen fotografitë e ralla të Kolec Macës prezanton edhe një kolokium të rrallë të fotografive boëtrore që kanë mbetur në histori. Ky paralelizëm me krijimtrainë e fotografit shqiptar u jep edhe më shumë vlerë fotove.

Në fund të librit autori ka paraqitur edhe një album të vogël me foto të zgjedhura nga krijimtaria e Kolë Macës që ngërthejnë gjini të ndryshme të fotografisë, një pjesë të botuara për herë të parë. Libri dallohet edhe për gjuhë të pastër e të pasur shqipe dhe është botim i Shtëpisë Botuese EMAL.

Bashkëpunëtorë të afërt të autorit për librin janë: konsulent është Dr.Zef Paci, redaktor është shkrimtari Pandeli Koçi, ndërsa ballina u realizua nga Dr.Shpend Bengu.

Ky është libri i katërt i këtij studiuesi, pas “Fotografia-një grusht diell” (2005), “150 vjet Fotografi Shqiptare”(2009) dhe “Fjalor i Fotografisë“ (2013)./shqiptarja.com/

Please follow and like us: