Albspirit

Media/News/Publishing

152 vite nga lindja e Ndre Mjedës, poet i kryeveprës “Juvenilja”

Më datë 20 nëntor 1866, plot 152 vjet më herët, lindi poeti ynë i çmuar dhe që i dha së tepërmi letërsisë shqipe Ndre Mjeda. Ai mbahet mend si një nga penat më të fisshme dhe të mira të letërsisë shqiptare. Më së tepërmi shkroi poezi gjatë kohës kur Shqipëria ishte nën robëri e nuk e kishte shpallur akoma Pavarësinë, kurse si kryevepër e tij mbahet “Juvenilja”.

Biografi e Ndre Mjedës

U lind në Shkodër më 20 nëntor 1866, i biri i Jakut të Zef Kryeziut dhe Luçijes së Shtjefën Thaçit, banonin në një jerevi në rrugëzën “Krroqej”. I mbetur jetim nga i ati herët, me përkrahjen e jezuitit Atë Jungg u regjistrua me të vëllanë, Lazrin, në kolegjin saverian të porsahapur; ku studioi nga 5 prill 1877 deri më 1880. Në edukimin e tij patën ndikim Ndue Bytyçi dhe Leonardo de Martino. Shoqëria e Jezuit e dërgoi djaloshin Mjeda jashtë për studime e specializime. Më 27 mars 1880 ai kish hyrë në Shoqatën e Jezuitëve të Provincës së Venecias. Në fillim ndenji tre muaj në pranverë 1880 në fshatin Cossé-le-Vivien, sot në qarkun Mayenne të Francës, kurse më pas ndoqi një kolegj në manastirin Kartuzian “Porta Coeli” në veri të Valencias në Spanjë, ku studioi për letërsi. Më 1883 gjendej në Porto Re duke studiuar retorikë, latinisht dhe italisht në një institut jezuit. Nga 1884 deri në fillim të vitit 1887 u stërvit në kolegjin “Marco Gerolamo Vida” në Kremona që drejtohej nga Universiteti Gregorian i Romës, kurse më 1887 u transferua në një kolegj Gregorian tjetër në Kieri (Chieri), në juglindje të Torinos, ku ndenji deri në fund të atij viti. Nga 1887 deri më 1891 Mjeda dha muzikë në kolegjin “Marco Girolamo Vida” në Kremona. Nga viti 1891 Mjeda studioi për disa vjet në fakultetin teologjik të kolegjit Gregorian të Krakovit, ku dhe u njoh me veprat albanologjike të Meyer e Pedersen. Më 1893 gjendej në Goricia, kurse pas një viti përsëri në Kraljevica, ku dha mësim filozofi e teologji e ku shërbeu si bibliotekar në kolegjin Gregorian. U emërua profesor i logjikës e më pas i metafizikës. Më 1898 për arsye fërkimesh mes Vatikanit dhe Perandorisë Austro-Hungareze, Mjeda u përjashtua nga Shoqëria e Jezuit. Më 1899 u emërua famullitar në Vig dhe u anëtarësua në shoqërinë “Bashkimi”. Por më pas u largua dhe me të vëllain, themeluan shoqërinë “Agimi” i përkrahur edhe nga Xanoni e Logoreci. Shkurtin e 1902 i dërgon një letër apokrife konsullatave të huaja për kërkesat që kishin kryengritësit mirditorë në atë kohë. Nga 17 marsi i 1905 deri më 15 mars 1906 shërbeu si famullitar në Dajç, dhe më pas në Kukël. Më 1908 si përfaqësues i shoqërisë “Agimi” mori pjesë në takimet që u bënë me rastin e Kongresit të Manastirit. Më 1913-1916, pas mbarimit të rrethimit të Shkodrës, vijoi të shërbente si famullitar i Kuklit, ku në mars të 1914 hartoi një projekt për krijimin e një ferme bujqësore moderne të cilin ia dorëzoi konsullit të përgjithshëm të Perandorisë Austro-Hungareze në Shkodër, Hallas. Organizoi qëndresën kur serbët ripushtuan zonën dhe në ikje e sipër e arrestuan në janar të 1916. Gjatë pushtim-administrimit austro-hungarez, u thirr në Shkodër si anëtar i Komisís Letrare dhe më 11 dhjetor 1916 u emërtua mis veprues i Komisisë me rrogë. Në maj të 1917 ndërmori një ekspeditë shkencore trijavore në qytetin dhe krahinën e Elbasanit për të gjurmuar veçoritë e të folmes së elbasanishtes, që Komisia kishte vendosur të ishte baza e shqipes së njësuar. Më 1921 u zgjodh deputet i prefekturës së Shkodrës dhe u rizgjodh në dhjetorin e 1923; në famullinë e tij në Kukël kishte lënë zëvendës Dom Ndre Zadejën. Gjatë veprimtarisë parlamentare, Mjeda në qershor 1921 u caktua në Komisionin parlamentar të Drejtësisë. Në korrik mbajti një fjalim të fuqishëm për çështjen e masakrave serbe në Kosovë. Hartoi edhe pjesë nga rregullorja e brendshme e parlamentit të kohës, përkatësisht ligjin për formimin e komisionit për shqyrtimin e zgjedhjeve të deputetëve, si dhe funksionimin e tij. Pas vrasjes së Avni Rustemit, Mjeda bashkë me kolegët e vet përfaqësues të Shkodrës, u kthye në Shkodër dhe në maj të 1924 nxit fshatarët e Kuklit që të përkrahnin revoltimin e njësive të ushtrisë që çuan drejt Lëvizjes së qershorit dhe qe pjesë e shtabit të kryengritjes. Pas lëvizjes jetëshkurtër të qershorit dhe rikthimit të Zogut, tek po bëhej gati të shkonte me autobus në Tiranë që të merrte pjesë në punimet e Asamblesë, u arrestua dhe u burgos në Prefekturën e qytetit të Shkodrës nga 14 janari deri më 2 mars 1925. U tërhoq nga jeta politike dhe u kthye në Kukël. Nga viti 1930 qe mësues i gjuhës dhe letërsisë shqiptare në kolegjin jezuit në Shkodër. Ndërroi jetë më 1 gusht 1937 nga një atak në zemër.

Please follow and like us: