Shtëpia e Bardhë i rikthen akreditimin gazetarit të CNN
Shtëpia e Bardhë i riktheu akreditimin një gazetari të rrjetit televiziv CNN, i cili u përplas me presidentin Donald Trump.
Zëdhënësja e Shtëpisë së Bardhë, Sarah Sanders, tha se Jim Acostës i kthehet akreditimi i shtypit. Por ajo po ashtu shpalli rregulla të reja për gazetarët.
Ajo tha se rregullat përfshijnë kufizimin e çdo gazetari në një pyetje gjatë konferencave për shtyp, përveç rasteve kur Shtëpia e Bardhë i jep mundësi tjetër.
Shtëpia e Bardhë ia pezulloi kredencialet Acostës pas një shkëmbimi gjaknxehtë midis tij dhe presidentit Trump, më 7 nëntor.
Pas padisë së CNN-it, gjykatësi federal e urdhëroi atë që t’ia rikthejë akreditimin Acostës. Shoqata e Korrespondentëve të Shtëpisë së Bardhë e mirëpriti vendimin, por i kritikoi rregullat e reja. Gjatë pothuajse tre vjetëve në detyrë, Trump është përplasur vazhdimisht me mediat amerikane, duke i kritikuar për “lajme të rreme”.
“Sot Shtëpia e Bardhë i ktheu plotësisht akreditimin Acosta-s”, shkruan CNN në “Twitter”.
“Për pasojë, procedimi jonë gjyqësor nuk është më i nevojshëm. Ne do të vazhdojmë me mbulimin e Shtëpisë së Bardhë”, thuhet në këtë mesazh të kanalit televiziv amerikan.